
Në një intervistë dhënë për DW, drejtoresha e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Kseniya Lvovsky deklaroi se qeverinë e re të vendit e presin shumë sfida përpara, pasi sic vlerëson ajo, gjendja ekonomike e vendit nuk është e mirë.
Ajo tha se prioritet për qeverinë e re duhet të jetë lufta kundër korrupsionit dhe rritja e besimit të qytetarëve të institucionet shtetërore, duke cituar këtu Institutin e Statistikave. Zonja Lvovksi tha se qeveria e re duhet të kërkojë agjentë të rinj të rritjes ekonomike dhe të hapjes së vendeve të reja të punës dhe këtë duhet ta bëjë në një mjedis të vështirë të jashtëm dhe të brendshëm.
“Kemi një qeveri të re, që është zotuar të çojë përpara axhendën e saj, të sjellë më pranë Shqipërinë me BE-në, si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht. Por askush nuk mund të presë mrekullira. Të gjitha palët duhet të kontribuojnë. Qeveria e re duhet të punojë fort, po kështu bizneset, qytetarët duhet të japin kontributin e tyre duke paguar taksat, duke treguar zero tolerancë ndaj evazionit fiskal”, thotë drejtoresha e BB-së në Shqipëri.
Ndërsa duke u ndalur tek efektet e krizës ekonomike globale në Shqipëri, zonja Lvovski tha se ajo vërehet më së miri në rritjen e papunësisë, sidomos mes të rinjeve dhe në përkeqësimin e treguesve të uljes së varfërisë.
Top Channel