Snouden lë aeroportin e Moskës

01/08/2013 00:00

Ish-nëpunësi i CIA-s, Eduard Snouden, la aeroportin e Sheremitjevos në Moskë, sepse fitoi statusin e refugjatit.

Avokati i tij, Anatoli Kucerena, i tha BBC-së se Snouden ka mundur të sigurojë dokumentet e nevojshëm për të hyrë në territorin rus, nga zona tranzit e aeroportit.

Rusia po shqyrton aktualisht kërkesën e tij për azil. Vendimi duket se do të tensionojë më tej marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës. Snouden la aeroportin në orën 14:00 me orën lokale.

Pavarësisht pranisë së gazetarëve, largimi i tij nuk u vu re nga mediat. Avokati Anatoli Kucherena, i cili tregoi një fotokopje të dokumentit që i është dhënë klientit, tha:

“Sa i takon vendqendrimit të tij, ai duhet ta zgjedhë vetë. Mund të jetojë në hotel apo në një apartament me qira. Por, meqë ai tani është njeriu më i kërkuar në tokë, ai duhet të ketë parasysh edhe aspektet e sigurisë”, konfirmoi avokati.

Pas kësaj, Snouden – përmes një deklarate të publikuar në faqen e organizatës Wikileaks – “falënderoi Rusinë për dhënien e azilit dhe akuzoi qeverinë amerikane se nuk tregoi respekt për ligjin ndërkombëtar”.

Wikileaks, që e ka ndihmuar 30-vjeçarin prej momentit kur u bënë publike programet amerikane të survejimit, përmes një mesazhi në Twitter, tha se atij i është dhënë azil.

Dokumenti i ngjan një karte identiteti ruse, ku duken gjurmët e gishtërinjve dhe tregon 31 korrikut e këtij vitit, si datë lëshimi, dhe 31 korrikun e 2014, si datë të mbarimit të vlefshmërisë.

Eduard Snouden mbërriti në aeroportin e Sheremitjevos, më 23 qershor, nga Hong Kongu. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder, i dha garanci Moskës se, nëse ekstradonin 30-vjeçarin, ai nuk do të dënohej me vdekje, por rusët kanë kundërshtuar dorëzimin e tij.

Presidenti amerikan, Barak Obama, do të vizitojë Moskën muajin e ardhshëm. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, të enjten, ka zhvilluar takimin me ligjvënësit amerikanë në Dhomën Ovale, për të diskutuar programet e survejimit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë.

Të mërkurën, në një intervistë për televizionin rus, babai i ish-kontraktorit të CIA-s tregoi se FBI i kishte kërkuar të udhëtonte në Moskë për t’u takuar me të birin.

Lon Snouden u shpreh i bindur se ndaj të birit nuk do të zhvillohet një gjykim i ndershëm në Shtetet e Bashkuara dhe po të ishte në vendin e tij do të qëndronte në Rusi.

Sipas tij, Eduard ishte “një atdhetar i vërtetë” që e bëri Amerikën një vend edhe më demokratik, duke publikuar detaje sekrete të programeve të survejimit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, NSA.

Intervista u transmetua herët në mëngjes në kanalin Rusia 24 News.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta