Kursimet, interesat në pikiatë

01/08/2013 15:20

Qytetarët që kursejnë, tani përfitojnë shumë më pak të ardhura se më parë. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se interesat e kursimeve në tregun e brendshëm kanë rënë në minimumet historike dhe vazhdojnë të tkurren me ritme të shpejta.

Në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë, çmimi i bonove njëvjeçare, letra me vlerë përmes të cilave qytetarët mund t’i investojnë kursimet e tyre si borxh për qeverinë, ranë në 5.11 për qind.  

Ky është niveli më i ulët i të gjitha kohërave dhe krahasuar me vitin e kaluar, të kursesh në bono thesari tani përfiton një interes deri në 30 për qind më të ulët.

Por, letrat me vlerë nuk janë forma e vetme e kursimeve që janë bërë më pak fitimprurëse. Interesat kanë rënë edhe për formën kryesore të kursimeve, atë të depozitave në bankë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për depozitat njëvjecare, në qershor interesat zbritën në 4.59 për qind, kur në të njëtën periudhë të vitit të kaluar ishin 5.5 për qind. Rënia e interesave tek kursimet favozizon buxhetin e shtetit pasi ul kostot që qeveria paguan për borxhin.

Në gjashtë muajt e parë, qeveria pagoi 2 miliardë lekë interesa më pak se plani, ndërkohë që deri në fund të vitit kursimi nga interesat mund të arrijë deri në 6 miliardë.

Por, ndonëse një lajm i mirë për financat e shtetit, ulja e interesave për borxhin e qeverisë është rrjedhojë e krizës së sektorit privat. Interesat po bien sepse borxhi për qeverinë është forma e vetme ku bankat investojnë paratë e mbledhura nga qytetarët, pasi kredia për privatët është në ngërç të plotë.

Në qershor, rritja totale e kredisë ishte 0.8 për qind, por për biznesin shifra ishte sërish negative. Për sa kohë bankat nuk do të kreditojnë privatët, përfitimet e ekonomisë nga rënia e interesave do të jenë minimale. Madje për një pjesë të familjeve, ato të cilat kanë kursime, tkurrja e interesave ka kosto sepse ul të ardhurat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA