Rreth 80 biznese të mëdha, të vendosura përgjatë aksit nacional Finiq-Sarandë flasin për rrënim të ekonomive të tyre, sidomos gjatë vitit të fundit.
Shumë bisnese në këtë zonë janë duke falimentuar, ndërsa të paktën 25 bisnese të mëdha kanë dorëzuar tashmë licencat.
Sipas të dhënave të komunës Finiq, ku një pjesë e këtyre bisneseve shlyejnë detyrimet, janë të paktën 5 kompani të mëdha ndërtimi që nuk janë shlyer pas zbatimit të tenderave për punimet në veprat publike.
Të gjitha bizneset, sipas shefit të financës në këtë komunë ndjejnë vështirësi në shlyerjen e taksave.
Grumbullimi i tyre ka rënë me rreth 40 % duke bërë që komuna të rishqyrtojë buxhetin e miratuar, të kryejë shkurtime në shërbime, investime dhe organikë vendore.
“Një pjesë e madhe kanë pezulluar aktivitetin, bëhet fjalë për 15-20% të biznesit juridik dhe gati 20-25% të biznesit të vogël dhe kjo ka ndikuar në aktivitetin e komunës së Finiqit”, tha Thoma Zoto, shefi i financës së Komunës Finiq.
Ndërkaq, vetë bisneset bëjnë me dije se kanë mungesë likuiditeti, pamundësi për të shlyer detyrimet dhe rënie të shitjeve me të paktën 50% krahasimisht me një vit më parë.
“Më përpara këtu kam pasur pesë të punësuar, ndërsa sot kam vetëm djalin tim të vogël, si rezultat i krizës ekonomike”, deklaroi Memo Jonuzi, pronari i një biznesi të madh.
“Ndërtimi ka rënë, kjo ka sjellë si pasojë që punonjësit elektrik të nivelit elektriçist apo të biznesit të vogël pothuajse kanë falimentuar”, tha Dashnor Laze, gjithashtu pronari i një biznesi të madh ndërtimi.
Lediana Voja administron një bisnes vere në të njëtën zonë industriale. Ajo thotë se këtë vit shitjet janë minimale dhe se ata nuk po arrijnë të grumbullojnë detyrimet e prapambetura.
“Biznesi ynë është i lidhur me turizmin, ai paraqitet shumë i dobët sivjet, ndaj ka rënie të madhe. Kemi shumë debitorë, transportojmë mallin dhe s’kemi likuiditet”, deklaroi Lediana Voja, administratore biznesi.
Zona industriale Finiq-Sarandë mban peshën kryesore përsa i përket realizimit të të ardhurave për disa komuna dhe Bashkinë e Sarandës.
Reduktimi i xhiros vjetore për këto bisnese, rënia e likuiditetit, e për pasojë shkurtimi i punonjësve dhe mosshlyerja e detyrimeve po ndikon fuqimisht realizimin e buxheteve të njësive vendore në të gjithë rajonin.
Ndërprerja e pensioneve për popullsinë minoritare të kësaj zone, që ishte një e ardhur që investohej, duket se ka ndikuar gjithashtu në situatën e përgjithshme.
Top Channel