Në fund të muajit prill, të dhënat zyrtare faktonin se treguesit e buxhetit kishin dalë nga kontrolli.
Defiçiti buxhetor ishte rritur dy herë krahasuar me një vit më parë dhe për ta financuar qeveria po merrte borxh masivisht në tregun e brendshëm.
Me Fondin Monetar të larguar, institucioni i vetëm që mund të mbronte financat publike nga rreziku i zgjedhjeve kishte mbetur banka qëndrore.
Dhe ja çfare deklaronte Guvernatori Ardian Fullani vetem nje muaj perpara zgjedhjeve: “Banka e Shqipërisë vëren se politika afatmesme dhe afatgjatë fiskale duhet të orientohet më shumë drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së borxhit publik”.
Treguesit u përkeqësuan edhe më shumë në maj. Por, sërish për guvernatorin, të cilit maxhoranca e djathtë sapo i kishte dhënë mandatin e dytë shtatëvjecar shqetësimi për borxhin nuk ishte emergjent, por mbetej afatgjatë.
Por, vetëm një ditë më parë, Banka ndryshoi krejtësisht qëndrim, duke harruar terminologjine me politika afatmesme dhe afatgjata te 29 majit dhe duke kërkuar tashmë masa emergjente për borxhin.
“Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë sugjeron se marrja e masave të menjëhershme për kontrollin e këtij borxhi do të përbënte një kontribut të rëndësishëm për reduktimin e pasigurive dhe të primeve të rrezikut në ekonomi”, deklaroi një ditë më parë Fullani.
Ndërmjet këtyre deklaratave ka kaluar pak me shume se një muaj. Të dhënat zyrtare dëshmojnë se financat publike nuk u shthurën vetëm në qershor, por kishin dalë nga kontrolli që më parë.
I vetmi ndryshim gjatë kësaj kohe ishte rrotacioni i pushtetit, qeveria në detyrë kishte humbur zgjedhjet.
Banka e Shqipërisë është institucioni më i pavarur financiarisht në Shqipëri, i pavarur madje deri në ekstrem. Punonjësit e saj kanë një strukturë të mbyllur pagash, të pavarur nga buxheti.
Por, jo vetëm kaq. Vetë Banka lejohet të prokurojë para publike, pa garë, me procedura të vecanta, pa iu bindur ligjit për prokurimet.
Privilegje të cilat i janë dhënë edhe më këmbnguljen e fortë të Fondit Monetar apo institucioneve të tjera ndërkombëtare, vetëm për një arsye. Të mbrojë stabilitetin financiar të vendit nga cdo kërcënim, përfshirë ato që vijne nga politika dhe orekset elektorale të qeverive.
Pyetja që shtrohet pas deklaratave te fundit eshte ajo se kush i kercenoi kaq keq financat publike ne vetem nje muaj? Dhe cila qeveri e ka detyruar guvernatorin te ndryshoje kaq shpejt qendrim?
Top Channel