Egjipt, Ashton takon Morsin

30/07/2013 00:00

Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton është takuar me presidentin e rrëzuar të Egjiptit, Mohammed Morsi.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e saj, sipas të cilës zonja Ashton e vizitoi zotin Morsi mbrëmjen e së hënës dhe zhvilloi dy orë bisedime “të thella” me të.

Vendi i takimit nuk u bë publik, por zoti Morsi mbahet i burgosur që kur u rrëzua nga forcat e armatosura më 3 korrik, disa ditë pas protestave masive që përfshinë vendin.

Vizita e zonjës Ashton bëhet vetëm pak ditë pasi mbi 100 mbështetës të Morsit u vranë në përleshjet me forcat e sigurisë.

Aleatët e liderit të rrëzuar kanë deklaruar se kanë planifikuar një protestë madhore për të martën në Kajro, ndërsa qeveria e përkohshme ka paralajmëruar se çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me rreptësi.

Zonja Ashton u takua gjithashtu me kreun e forcave të armatosura egjiptiane, gjeneralin Abdul Fattah al Sisi, si dhe me disa ministra të kabinetit po ditën e hënë.

Ajo nuk foli për gazetarët pas këtyre takimeve, por përpara se të mbërrinte në Egjipt tha se do të bënte thirrje për një “proces tranzicioni gjithëpërfshirë, ku të marrin pjesë të gjitha grupet politike, përfshirë Vllazërinë Myslimane”, lëvizja islamike të cilës zoti Morsi i përket.

Vllazëria dhe aleatët e saj insistojnë se presidenti i rrëzuar duhet të kthehet në pushtet.

Top Channel