
Banka e Shqipërisë mund të vendos të ulë sërish normën bazë të interesit
në përpjekjen e disatë për të stimuluar ekonominë e ndrydhur nga kriza.
Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës do të mblidhen në datën 31 korrik, në një axhendë të ngjeshur, ku pritshmëritë janë që të bien dakord për një tjetër ulje të normës, sipas gjasave me 0.25 pikë përqindje. Kjo do ta çonte normën bazë të rinfinancimit në minimumin e ri historik 3.5 për qind, një vendim që duket i diktuar nga kushtet e vështira të ekonomisë dhe tregut të brendshëm financiar.
Prej disa muajsh Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në krizë kredie, ndërkohë që të dhënat e fundit mbi besimin e biznesit dhe shpenzimet konsumatore paralajmërojnë dobësim të mëtejshëm të ekonomisë. Që nga korriku i vitit 2011, politika e Bankës së Shqipërisë ka qenë e orientuar gjithmonë në të njëtin kah, atë të lehtësimit monetar.
Norma bazë e interesit është ulur disa herë, nga niveli 5.25 për qind që ishte dy vjet më parë drejt minimumit të pritshëm 3.5 për qind. Ky lehtësimi ka zbutur kostot e borxhit të Qeverisë, të cilat kanë rënë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave. Por pavarësisht kësaj, efekti i kësaj politike në nxitjen e kredisë ka qenë gati zero.
Vrojtimet e fundit tregojnë se bankat kanë vazhduar të shtrëngojnë kushtet e kreditimit, ndërsa edhe vetë kërkesa e sektorit privat mbetet e vakët. Lëvizja e fundit e Bankës synon të rigjallërojë kredinë dhe të nxisë konsumin, por ngre dhe një pyejte, atë që ka të bëjë me hapsirat e mëtejshme të Bankës Qendrore për të stimuluar ekonominë. Me normat reale afër zeros, duke se edhe banka i ka ezauruar të gjitha instrumentat për të nxitur më tej ekonominë e kapur në kurhtin e rritjes së ulët dhe vështirësive financiare.
Top Channel