Transparenca e financave publike

29/07/2013 00:00

Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama ka bërë publike rrugën e ringritjes së ekonomisë vendase, që sipas tij është shndërruar në një gropë të madhe financiare nga qeveria në ikje.

Transparenca e plotë e situatës fianciare do të bëhet nga një kompani e huaj, me eksperiencë të gjerë në auditimin financiar, paralajmëroi Rama.

“Na duhet të dimë me saktësi një orë e më parë sa e madhe është gropa e krijuar në buxhetin e shqiptarëve në këto vite politikash rrënuese, ekonomike e fiskale. Për këtë na duhet një analizë e thellë, objektive dhe e pavarur”, deklaron Rama në profilin e tij në Facebook.

“Angazhimi ynë është t’i drejtohemi një pale të tretë, me ekspertizë të padiskutueshme në rang ndërkombëtar. Ne po përgatitemi për ta bërë këtë me të nisur nga puna”, vijon kryeministri i zgjedhur, duke dhënë edhe detaje sesi do të veprojë qeveria e majtë për të disiplinuar financat publike.

Duke e vënë theksin tek defiçiti gjithmonë e në rritje, ku buxheti i 2013-ës, i parashikuar nga qeveria në ikje në 361 miliardë lekë të ardhura dhe 409 miliardë lekë shpenzime, që në planifikim defiçit, Edi Rama paralajmëron reformë të thellë të raportimit financiar të sektorit publik, ku transparenca e plotë është në themel të kësaj reforme.

Analiza e plotë është hapi i parë i saj. Verifikimi i raportimit financiar i gjendjes pasurore të qeverisë dhe strukturave në varësi të saj, i përdorimit të fondeve publike, por edhe të çdo kontrate të shërbimeve dhe punëve publike do të hapë procesin e reformës rrënjësore të financave shqiptare.

Kjo analizë do të pasohet nga hapi i dytë: Reformë e thellë ligjore dhe administrative. Do të hartohet dhe miratohet një ligj i ri për raportimin financiar të entiteteve publike sipas standarteve ndërkombëtare të kontabilitetit për sektorin publik.

Si hap të tretë, qeveria e Edi Ramës parashikon hartimin e pasqyrave të detajuara financiare të çdo strukture deri në nivel ministrie, për t’u pasuar nga hapi i katërt: Auditim i jashtëm, i pavarur, sipas standarteve ndërkombëtare dhe botimi i konstatimeve me transparencë të plotë.

E shoqëruar edhe me reforma të tjera, për përmirësimin e kontrollit të brendshëm, Edi Rama thotë se do t’i qeverisë financat e shqiptarëve me transparencë dhe cilësi në vendimmarrje.

Top Channel