Spanjë, funeral masiv për viktimat

29/07/2013 00:00

Një funeral masiv do të organizohet në qytetin spanjoll të Santiago de Compostela, aty ku të mërkurën një tren doli nga shinat duke shkaktuar vdekjen e 79 personave.

Në këtë funeral do të marrin pjesë kryeministri Mariano Rajoy dhe pjesëtarë të familjes mbretërore spanjolle.

Banorët e Santiago de Compostela janë të shokuar në një javë që duhej të ishte e gëzuar për ta, pasi të enjten festohej festa fetare e këtij qyteti, festë që u anullua pas aksidentit tragjik. Arena e sportit është shndërruar në një morg dhe në kangjellat e katedrales njerëzit lënë buqeta me lule dhe ndezin qirinj në kujtim të personave që humbën jetën.

Zyrtarët bëjnë të ditur se 70 persona ndodhen ende në spital, 22 prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.

Makinisti i trenit u la i lirë me kusht pasi të dielën dëshmoi për 2 orë para gjykatësit Luis Alaez. Tashmë Francisco Jose Garzon duhet të paraqitet çdo javë në gjykatë dhe duhet të dorëzojë licensën e tij për 6 muajt e ardhshëm.

Makinisti pranoi fajin duke thënë para gjykatës se hyri në kthesë me 190 km/h, aty ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 km/h. Sipas burimeve të ‘El Pais’, ai nuk ka gjetur justifikim duke u ankuar për gjendjen e hekurudhës apo trenit, por thjesht ka pranuar përgjegjësinë e tij.

Top Channel