Brazil, Papa mban meshë për të rinjtë

29/07/2013 00:00

Meshën e lamtumirës para tre milionë pelegrinëve në Kopakabana, Papa Françesku e përdori për t’i drejtuar të gjithë katolikëve të rinj thirrjen të përhapin mesazhin hyjnor.

Ati i Shenjtë, i pari Papë nga Amerika Latine, e dha meshën në mbyllje të vizitës pesë ditore në Brazil që synonte rigjallërimin e besimtarëve të tij katolikë.

Në plazhin e famshëm të Rio de Zhaneiros, Papa Françeskut iu bë një pritje madhështore me flamuj, kërcime dhe brohoritjet “rroftë Papa”. Kreu i 1.2 miliardë katolikëve të botës i këshilloi besimtarët e rinj të bëjnë për vete njerëz nga të gjitha vendet, në përpjekje për të rigjallëruar katolikët, të cilët po humbin pasues në vende si Brazili.

Organizatorët e Ditës Botërore të Rinisë vlerësojnë se numri i pjesëmarrësve në meshën e Kopakabanas ishte më shumë se dyfishi i personave të pranishëm në koncertin falas të grupit Rolling Stones në vitin 2006. Në fakt, përgatitjet e mëdha që u bënë në Kopakabana për këtë vizitë të bënin të mendoje se aty do të performonte ndonjë yll rroku. Papa Françesku nuk e sheh veten aspak kështu. Mjaft vëzhgues thonë se Papa argjentinas ka sjellë një frymë të re në Vatikan.

Edhe pse nuk është ndonjë revolucionar radikal dhe i qëndron me bindje doktrinës tradicionale katolike, ai e ka elektrizuar dhe rigjallëruar Kishën e munduar këto vitet e fundit nga problemet e brendshme dhe nga progresi i protestantëve që ka pasur efekt destabilizues për të.  

Top Channel