Ndaj njërit prej shoferëve të trenit, që u përmbys në veri-perëndim të Spanjës, duke lënë të paktën 80 pasagjerë të vdekur, kanë nisur hetimet, bëjnë të ditur zyrtarë të drejtësisë.
Shpejtësia do të jetë njëri nga faktorët e hetimit, pasi një kamera sigurie kapi pamje të trenit, teksa përplasej gjatë marrjes së një kthese.
Me dhjetra persona mbetën të plagosur, 32 prej të cilëve në gjendje shumë të rëndë, në incidentin pranë Santiago de Compostela. Spanja do të mbajë 3 ditë zi pas kësaj ngjarjeje, një nga më të rëndat në historinë e vendit.
Mbreti Juan Carlos vizitoi të mbijeturit dhe familjet e viktimave në Spitalin Universitar të Santiagos. “Të gjithë spanjollët janë të bashkuar në këtë moment”, tha ai. Kryeministri Mariano Rajoy ishte prezent në vendngjarje, më herët gjatë ditës.
“Kutia e Zezë” e trenit të linjës Madrid-Ferrol ndodhet tashmë në duart e gjykatës, ku dhe po kryhen hetimet.
Të paktën 130 persona janë dërguar në spital pas përplasjes, 95 prej të cilëve janë ende në kurim, njoftojnë zyrtarë të Shëndetësisë. Ndër 32 personat në gjendje të rëndë janë edhe fëmijë.
Njerëz të shtetësive të ndryshme janë mes të plagosurve, përfshi 5 amerikanë dhe 1 britanik, ndërsa 1 amerikan raportohet të ketë vdekur.
Një zëdhënës i Gjykatës Supreme të Galicia-s tha se shoferi, i cili mbeti i plagosur nga përplasja, është tashmë nën hetim. I quajtur nga media spanjolle si Francisco Jose Garzon Amo, ai mendohet të jetë marrë në pyetje nga policia gjatë së enjtes.
Por, është e paqartë, nëse dikush tjetër ka qenë subjekt i këtij hetimi, i cili vazhdon ende, edhe pas zhvendosjes së vagonëve të shkatërruar të trenit.
Top Channel