SHBA: S’e përcaktojmë dot “grusht shteti”

26/07/2013 03:25

Administrata e Obama-s nuk do të bëjë një përcaktim formal, nëse rrëzimi i presidentit të Egjiptit nga Ushtria ishte një “grusht shteti”, bëri të ditur një zyrtar i lartë i administratës për CNN.

Përcaktimi si “grusht shteti”, do të detyronte Shtetet e Bashkuara t’i jepnin fund ndihmave ushtarake për Egjiptin.

“Ligji nuk na kërkon neve të bëjmë një përcaktim formal, nëse ndodhi një ‘grusht shteti’ në Egjipt, madje nuk është në interesin tonë kombëtar për të bërë një përcaktim të tillë”, tha zyrtari.

Administrata amerikane synon vazhdimin e ndihmës kundrejt Egjiptit – një sasi prej më shumë se 1 miliard dollarë çdo vit – që duhet të jetë “në përputhje me ligjet tona” si dhe i nevojshëm për forcimin e interesave të sigurisë kombëtare të Amerikës, shtoi burimi në fjalë.

Mohamed Morsy, presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në rrugë demokratike, u rrëzua nga pushteti më 3 korrik, pas protestave masive kundër lidershipit të tij, që sollën edhe pezullimin e kushtetutës.

Të mërkurën, Pentagoni njoftoi se do të vononte dërgimin e 4 avionëve luftarakë F-16 për në Egjipt, të cilët duhet të dërgohen deri në fund të gushtit, si pjesë e një pakete shitjeje armësh prej 1,3 miliardë dollarë, të nënshkruar në 2010-n, që përfshinte shtimin e F-16-ave dhe disa pjesë tanqesh Abrams.

Shtyrja është parë si një sinjal kundrejt ushtrisë egjiptiane, se Shtetet e Bashkuara nuk janë të kënaqur me mos-shpejtimin e tranzicionit sërish drejt një qeverie civile.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA