Itali, super operacion anti-mafia

26/07/2013 00:00

Policia italiane ndërmori një operacion të gjërë anti-mafia në rrethinat e Romës dhe rajonin e Kalabrisë ku dhjetra persona përfunduan në pranga.

Në operacion morën pjesë rreth 500 agjentë të mbështetur nga qen anti-drogë, helikopterë dhe rojet bregdetare. Qendra e operacionit ishte rajonia i Ostia në perëndim të kryeqytetit italian.

Autoritetet thanë se në qendër të operacionit ishin tre klane mafioze të lidhura me botën e krimit, si prodhim dhe shpërndarje lëndësh narkotike, trafik prostitucioni dhe vrasje.

Gazeta italiane “Correre Della Sera” thotë se tre klanet mafioze, “Fasciani”, “Triassi” dhe “D’Agati” ishin grupet e goditura nga policia dhe anti-mafia. Nga hetimet rezulton se “Triassi” është klan autonom mafioz me lidhje të forta me mafien famëkeqe siçiliane, “Cosa Nostra”.

Ndërkohë, paralelisht me operacionin në rrethinat e Romës, një tjetër operacion në jug të vendit, në zonën e Kalabrisë çoi në prangosjen e 65 personave. ANSA thotë se mes të arrestuarve gjenden mjekë, juristë dhe biznesmenë që dyshohet se kanë lidhje me botën e krimit.

Të njëjtat burime thonë se në mes të personave të hetuar është edhe senatori Piero Aiello, anëtar i partisë së Silvio Berlusconi-t.

Në operacion u konfiskuan në cilësinë e provës materiale rreth 200 milion euro asete të biznesmenëve të lidhur me klanin “Giampa”, grup mafioz i rrjetit “Ndrangheta”. Edhe në Kalabri mes të dyshuarve është ndalur një tjetër figurë politike. Gianpaolo Bevilacqua, zv.president i kompanisë që drejton aeroportin rajonal dhe ish-këshilltar i lartë, sërish i partisë së Berlusconi-t.

Klani “Giampa” hetohet për mashtrime me siguracionet dhe pastrim parash të siguruara nga shitjet e armëve dhe drogës. Në lupën e hetuesve italianë janë edhe vrasjet mafioze që përfshinë Kalabrinë nga 2005 deri në 2011.

Mafia kalabreze, e njohur si “Ndrangheta” shihet si mafia më e fuqishme e italiane që ka eklipsuar “Cosa Nostra”, operon në gjithë Europën dhe me lidhje të forta me kartelet kolumbiane të drogës, nga ku fut pjesën më të madhe të lëndëve narkotike në Europë.

Top Channel