
Lajme kontradiktore vijnë nga Moska për ish-nëpunësin e CIA-s, Eduard Snouden. Fillimisht u tha se i ishin dorëzuar dokumentet e udhëtimit, por kjo u mohua nga avokati i tij.
Anatoli Kucherena u tha gazetarëve se “kërkesa e klientit tim për azil po shqyrtohet dhe ai do të qëndrojë në zonën e tranzitit në aeroportin e Sheremetijevos: “Ai nuk ka bërë asnjë plan për tu larguar. Ai kërkoi azil të përkohshëm, i cili në rastin e marrjes së përgjigjes pozitive jepet për një vit. Aktualisht vendi i destinacionit të fundit është Rusia”.
Më herët, zyrtarë të aeroportit thanë se avokati i kishte dorëzuar Snoudenit dokumentet e udhëtimit. Shtetet e Bashkuara kërkojnë ekstradimin e Eduard Snoudenit sepse bëri publike detaje të programeve të survejimit. Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka pranuar t’ia dorëzojë atë autoriteteve amerikane, por duke vënë një kusht për qëndrimin e 30-vjeçarit në Rusi: të ndalojë publikimin e sekreteve amerikane.
Snouden po qëndron në zonën e tranzitit në aeroportin e Moskës prej 23 qershorit, kur mbërriti nga Hongu Kongu dhe ka paraqitur kërkesën për azil të përkohshëm në Rusi. Disa vende të Amerikës Latine i kanë hapur dyert Snoudenit, por ai ka shjeguar se së pari duhet të sigurojë azilin nga Moska për të udhëtuar sepse SHBA-ja e quan të pavlefshme pasaportën e tij.
Pas publikimit të sekreteve në mediat më të mëdha të botës, u mësua se Agjensia Kombëtare e Sigurisë NSA në SHBA mblodhi regjistrimet e bisedave telefonike, gjë që sipas aktivistëve të lirive dhe të drejtave të njeriut është një “pushtim i panevojshëm i privatësisë”.
SHBA po i kërkon Kongresit të rrëzojë përpjekjen për t’i dhënë fund kësaj praktike. Kongresmmeni Justin Amash ka paraqitur një amendament për ligjin mbi shpenzimet e mbrojtjes që do të bllokojë dhënien e fondeve për këto programe kaq shumë të debatueshme. Votimi parashikohet së shpejti.
Top Channel