
Skandali i përgjimeve në Shtetet e Bashkuara ka vënë përballlë në konfliktin e radhës Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin Amerikan.
Shtëpia e Bardhë i kërkoi Kongresit të ndalojë përpjekjet për të bllokuar programin e përgjimit të telefonatave të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë.
Një zëdhënës i presidentit Barack Obama tha se planet për ndalimin e përgjimeve do të nxirrnin jashtë funksionit një masë jetësore në luftën kundër terrorizmit.
Ndërkohë, kreu i NSA-së, Keith Alexander u takua të martën me kongresistë të cilëve u kërkoi votën kundër masës së propozuar.
Kritikët e përgjimeve thonë se mbledhja e këtyre të dhënave shkel rëndë të drejtën e privatësisë.
Detajet e programit të përgjimeve të NSA-së u bënë publike nga Edward Snowden, ish-analisti i CIA-s dhe NSA-së, tashmë i kërkuar nga autoritetet amerikane dhe në pritje të marrjes së përgjigjes për kërkesën e azilit në Rusi.
Kongresisti republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Justin Amash propozoi një amendament për shkurtimin e fondeve të mbrojtjes, shkurtime që prekin financimin e programit të NSA-së për të mbledhur të dhëna të cdo telefonate në hyrje apo në dalje të Shteteve të Bashkuara.
“Propozimi im bllokon financimin e mbledhjes së këtyre të dhënave, sigurisht, nëse këto të dhëna nuk i përkasin një personi nën hetim”, tha Amash.
Votimi i Kongresit mbi këtë propozim pritet të kryhet ditën e mërkurë.
Top Channel