Obama shtyn dërgimin e F-16

24/07/2013 00:00

Presidenti amerikan Barak Obama vendosi të shtyjë shitjen e katër avionëve ushtarakë F-16 në Egjipt pas zhvillimeve të fundit, por do të vazhdojë të realizohet stërvitja e përvitshme ushtarake e quajtur “Bright Star”.

Cdo vit, qeveria amerikane i jep Kajros vetëm si ndihmë ushtarake 1.3 miliardë dollarë, apo 990 milionë Euro.

George Little, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, shpjegoi: “Për momentin nuk e gjykojmë të ecim me dorëzimin e avionëve ushtarakë F-16. Vendimi ka marrë miratimin unanim të të gjithë ekipit të sigurisë kombëtare.”

Në fillim të muajit, Muhamed Mursi, presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, u rrëzua nga pushteti pas një grushti shteti të organizuar nga ushtria që kërkoi një qeveri pajtimi. Për momentin, vendi drejtohet nga ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Adli Mansur.

Të mërkurën, shefi i ushtrisë egjiptiane bëri thirrje për një demonstratë për t’i dhënë ushtrisë mandatin për t’i bërë ballë dhunës dhe terrorizmit. Gjenerali Al Sisi shpjegoi se nuk po e bën këtë thirrje për kryengritje, por për pajtim kombëtar.

Vëllazëria Myslimane dhe përkrahësit e Mursit thanë se ata do të vazhdojnë me mitingun e planifikuar pavarësisht deklaratës së Al Sisit. Zyrtarët e kësaj lëvizjeje thanë se Al Sisi nuk po bën gjë tjetër përveç një thirrjeje për luftë civile për të mbrojtur grushtin e shtetit.

Top Channel