
Të paktën 20 narko-trafikantë gjetën vdekjen në përleshjet e fundit mes grupeve të drogës dhe policisë meksikane në shtetin Michoacan.
Autoritetet njoftuan se gjatë shkëmbimit të zjarrit mbetën të vrarë edhe dy oficerë policie. Të shtënat nisën në momentin kur grupet e armatosura bllokuan rrugët e patrullave policore dhe nisën të qëllojnë ndaj tyre.
Forcat e policisë u kundërpërgjigjen dhe dëshmitarë nga vendi i ngjarjes folën për minuta të tëra breshërish automatike.
Pjesa perëndimore e shtetit të Michoacan-it në Meksikë kontrollohet nga “Knights Templar”, një kartel droge ndër më të fuqishmit në vend.
Luftimet mbërrijnë dy muaj pasi presidenti Enrique Pena Nieto emëroi një gjeneral në krye të operacioneve policore dhe ushtarake për të marrë nën kontroll territoret e këtij shteti.
Ajo që vihet re së fundmi në shumë qytete në veri të vendit, është fenomeni i organizimit të qytetarëve në grupe të armatosura për të mbrojtur veten nga pengmarrjet dhe vrasjet e karteleve.
Lufta kundër karteleve u merr jetën mijëra meksikanëve cdo vit. Bilancet flasin për më shumë se 40 mijë të vdekur që nga viti 2006, kur ish-presidenti Felipe Calderon përfshiu ushtrinë në luftën kundër narko-trafikantëve.
Top Channel