Të paktën 1 person ka mbetur i vdekur dhe dhjetra të tjerë janë të zhdukur, pasi një varkë, që transportonte azilkërkues për në Australi, u përmbys në det pranë ishullit indonezian Java.
Autoriteti i Sigurisë Detare të Australisë bëri të ditur se një operacion kërkim-shpëtimi ka nisur. Rreth 100 persona janë nxjerrë nga uji, por raportohen të kenë qenë diku te 170 persona në bordin e varkës.
Incidenti vjen pak ditë, pasi kryeministri australian, Kevin Rudd, njoftoi se refugjatët, që mbërrijnë me varka, nuk do të gjejnë strehë në Australi.
Në një “betejë” për të ndalur numrin gjithnjë e në rritje të lundrimeve drejt Australisë, politika e re e Australisë për azilantët synon t’i dërgojë refugjatët në Papua New Guinea, për hetime të mëtejshme.
Varka, që kishte pasagjerë nga Sri Lanka dhe Irani, raportohet të ketë pësuar çarje dhe të fuste ujë, sapo ishte nisur nga fshati Cidaun në Java, mbrëmjen e së martës.
“Jam i vetmi i mbijetuar”, tha një person, që udhëtonte së bashku me 61 iranianë të tjerë, për Sydney Daily Telegraph. Për iranianët e tjerë ende nuk ka informacione, por mediat australiane raportojnë se trupi i një fëmije është rikuperuar.
Zyrtarë australianë thanë se edhe autoritetet indoneziane ishin duke ndihmuar operacionin e shpëtimit.
Top Channel