Qindra mijëra katolikë romanë janë mbledhur në plazhin e Copacabana-s, në qytetin brazilian të Rio de Janeiro-s, për ceremoninë hapëse të festivalit të Ditës Botërore të Rinisë.
Kulmi i këtij festivali do të shënohet kur Papa Françesku të vizitojë atë gjatë ditës së enjte. Papa zbriti të hënën në Brazil, në vizitën e tij të parë jashtë Vatikanit, që kur u emërua në krye të Kishës Katolike Romane.
Vizita e tij është shoqëruar me masa të rrepta sigurie, pas disa javësh protestash kundër qeverisë dhe korrupsionit në Brazil.
Turma, mbrëmjen e së martës, në “Copacabana Beach”, kryesohej nga kryepeshkopi i Rio-s, Orani Joao Tempesta. Ai mirëpriti pelegrinët në këtë festival 5-ditor, që pritet të mbledhë rreth 1,5 milionë njerëz nga e gjithë bota.
Vetëm pak çaste para eventit, ka pasur një kaos në transport, pasi sistemi i metrove në Rio u ndal për pak kohë, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Papa, i cili është me origjinë argjentinase, nuk kishte asnjë event të planifikuar për të martën dhe kaloi kohën e tij në një rezidencë private.
Shumë veta patën mundësinë të ndalnin autokolonën e Papës, teksa udhëtonte përmes Rio-s, madje zgjatën edhe duart për ta prekur liderin e katolikëve në makinën e tij pa xhama.
“Sekretari i Papës më tha se ishte terrorizuar, por Papa vazhdonte të buzëqeshte”, bëri të ditur zëdhënësi i Vatikanit, Federico Lombardi, për reporterët.
Papa u prit në këtë vizitë zyrtare në ndërtesën e guvernatorit shtetëror, nga presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, të hënën.
Top Channel