Shefi i misionit të OKB-së për verifikimin e përdorimit të armëve kimike në Siri ka mbërritur të mërkurën në Damask, me ftesë të autoriteteve siriane.
Lajmin e bën të ditur televizioni Al Arabiya. Suedezi Ake Sellstrom ishte emëruar nga sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon disa muaj më parë, por regjimi i Damaskut nuk kishte dhënë vizat hyrëse për anëtarët e misionit.
Sellstrom, i shoqëruar sot nga përgjegjësja e departamentit të OKB për çështjet e çarmatimit, Angela Kane, ndodhet në kryeqytetin sirian ku do të takohet me ministrin e Jashtëm Walid al Muallim, si një takim paraprak për nisjen e misionit.
Regjimi sirian mohon të ketë përdorur armë kimike dhe akuzon frontin e rebelëve se i ka përdorur ato në Khan Asal, lokalitet ne perëndim të Alepos e që deri para dy ditësh ishte në duart e forcave besnike.
Nga ana e tyre, eksponentët e opozitës, si ata në mërgim ashtu dhe ata në atdhe, kanë dokumentuar prej muajsh raste të ndryshme të përdorimit të armëve kimike nga ana e regjimit kundër lokaliteteve që janë rebeluar ndaj presidentit Bashar al Assad.
Një ditë më parë, numri një i ushtrisë amerikane bëri një ekspoze të kostos, rreziqeve dhe përfitimeve për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Siri, për të zgjidhur konfliktin që po përgjak vendin.
Shefi i Shtabit, gjenerali Martin Dempsey ofroi pesë opsione, duke përfshirë sulme të kufizuara dhe vendosjen e një zone ndalim-fluturimi. Por ai tha gjithashtu se përdorimi i forcës në Siri duhet të jetë “jo më pak se një akt lufte” dhe se mund t’i kushtojë Shteteve të Bashkuara miliarda dollarë.
Top Channel