Presidentët e Kolumbisë dhe Venezuelës kanë arritur një marrëveshje për të punuar mbi përmirësimin e marrëdhënieve, 2 muaj pas grindjes së lindur mes dy vendeve fqinje.
Juan Manuel Santos i Kolumbisë dhe Nicolas Maduro i Venezuelës u takuan për bisedime në një qytet kufitar të Venezuelës. Ata arritën një marrëveshje për të ngritur dy grupe të nivelit të lartë, për të diskutuar mbi sigurinë, energjinë dhe tregtinë.
Marrëdhëniet mes tyre u përkeqësuan, që kur Santos pranoi gjatë muajit maj të takohej me liderin e opozitës venezueliane, Henrique Capriles, në Bogota. Capriles synonte mbështetjen e kolumbianëve për të kontestuar humbjen me një marzh shumë të ulët votash, në favor të Maduro-s, në zgjedhjet presidenciale të muajit prill.
Ministri i Jashtëm venezuelian, Elias Jaua, tha se në atë kohë, ai takim mund të “përkeqësonte” marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Venezuela kërcënoi se mund të ndalte veprimet e saj si moderator në bisedimet mes qeverisë kolumbiane dhe Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC).
Top Channel