
Të paktën 19 persona kanë humbur jetën në një përplasje fatale mes një autobusi dhe një kamioni në një zonë në qendër të Tajlandës.
Sipas mediave lokale, rreth 20 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur në këtë aksident, që ndodhi në provincën Saraburi në orët e para të së martës.
Autobusi turistik dykatësh, që po udhëtonte nga Bangkoku për në lokalitetin veri-lindor Roi Et, mori flakë menjëherë pas përplasjes së dhunshme.
Ende nuk dihet me saktësi se sa persona ndodheshin në bordin e autobusit, por policia po zhvillon një hetim për ta përcaktuar. E sigurt është se të gjitha viktimat ishin pasagjerë të autobusit, raporton gazeta tajlandeze “The Nation”.
Aksidenti ndodhi rreth orës 05:00 me orën lokale, kur kamioni ndërroi drejtimin në mes të rrugës dhe goditi autobusin, njofton ndërkohë “Bangkok Post”.
Lajmi është raportuar edhe nga agjencia e lajmeve “AFP”, e cila duke cituar një zyrtar tajlandez shkruan: “Kamioni kaloi në korsinë e kundërt të trafikut dhe goditi autobusin”.
Mësohet se policia ka arrestuar tashmë shoferin e kamionit dhe se në aksident u përfshi edhe një kamion tjetër që udhëtonte mbrapa autobusit, por pa shkaktuar pasoja të tjera.
Top Channel