Pamjet e para të Princit

23/07/2013 23:30

Duka dhe Dukesha e Kembrixhit prezantuan në Londër, përpara botës, Princin e ri të Familjes Mbretërore dhe më pas lanë spitalin, bashkë me djalin e porsalindur, i cili do të jetë Mbreti i ardhshëm i Britanisë.

Princi, i lindur të hënën në orën 16:24 minuta, ende nuk ka emër dhe nuk pritet të njoftohet sot emri i tij, por do të jetë monarku i 43-të i Anglisë.

Ai është i treti në radhë për marrjen e Fronit të Mbretërisë së trashëgueshme të Anglisë. Princi Uilliam, duke mbajtur Princin e vogël në dorë, tha se “foshnja ka një palë mushkëri të mira dhe rëndon shumë”. “Ne, – tha ai, – po mendojmë për emrin”. Ndërsa Dukesha tha se është “një moment shumë i veçantë dhe jemi shumë të emocionuar”.

Princi Uilliam, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, me humor tha se “fatmirësisht ai ka buzët e së ëmës”. Princi, pasi e nxorri foshnjën me një sedilje për fëmijët, siç e kërkojnë rregullat e qarkullimit për fëmijët, që udhëtojnë me makinë, u largua bashkë me familjen e re të shtuar, duke i dhënë vetë makinës.

Mbretëresha Elizabeth nuk ka shkuar në spital për ta vizituar stërnipin, për shkak të angazhimeve të saj, por ka thënë se është e mrekulluar nga lindja e “foshnjës Kembrixh”, siç po quhet tani në mungesë të emrit.

Ndërkohë, atje kanë qenë sot – më herët – gjyshërit dhe gjyshet e Princit, prindërit e Uilliam dhe Kate, të cilët vitizuan Princin e porsalindur.

Lindja e Mbretit të ardhshëm ka shënuar, sipas historianëve mbretëror, një ndryshim të madh dhe reformim të traditës mbretërore. Pikërisht, lindja e tij ka shënuar sanksionimin e barazisë gjinore për pasuesit e Mbretërisë, pasi me vendim parlamentar u sanksionua se, pavarësisht nga seksi, fëmija i lindur do të ishte Mbreti ose Mbretëresha e ardhshme, që në lindje.

Trashëgimtari i tretë i fronit
Një lindje në çdo rreth 30 vjet në Pallatin Mbretëror

Çfarë ruan e ardhmja për Princin e Kembrixhit? Pyetja bëhet nga të gjithë. Është një ngjarje, që ndodh pak a shumë çdo 30 vjet, shkruan BBC.

Princi Charles lindi në vitin 1948, Uilliam në 1982 dhe në 2013-n Princi, që ende nuk ka një emër.

Lindja e çdo fëmije është një moment, që i bën të gjithë ata që ndodhen përreth të reflektojnë për jetën e tyre dhe për të ardhmen e foshnjës.

Në njëfarë mënyre, e ardhmja e bebes së Kembrixhit është më e përcaktuar, se ajo e ndonjë të sapolinduri tjetër. Fati i kësaj foshnjeje është të trashëgojë një prej froneve më të vjetër mbretërorë të botës.

Një jetë, mbi të cilën do të ketë shumë presione dhe zhgënjime, që për pjesën tjetër mund të jenë thjesht rastësi. Ata kanë arritur majën e shoqerisë dhe janë të rrethuar nga njerëz të suksesshëm të nivelit të lartë, pa provuar asnjëherë se ata janë të denjë për këto arritje.

Është, ndoshta, pikërisht kjo gjë, që lidhet me sistemin trashëgimor, që meritokratët dhe republikanët e përçmojnë më shumë se gjithçka. Duke mësuar rëndësinë e kësaj, ata që qëndruan pranë Uilliamit dhe Herrit u dhanë dy të rinjve mundësinë për ta provuar botën e madhe dhe të zbulojnë vlerat e vetvetes, për arritjet e tyre dhe jo të pranonin postulatin arrogant.

Uilliam, si një pilot shpëtimi, ndërsa Herri, me zhvendosjet e tij në Afganistan. Të njëjtat parime duhet të zbatohen për anëtarin më të ri të Familjes Mbretërore. Ai duhet të bëjë çfarë ka bërë i ati, gjyshi dhe stërgjyshja, si dhe të meritojë respektin nga mënyra e përcaktimit të rolit të tyre.

Ndoshta, modeli më i mirë për t’u ndjekur është ai i stërgjyshes, e cila i dha angazhimin dhe përulësinë rolit të monarkut. Por, e para sfidë është syri i publikut.

Uilliam ishte i vetëdijshëm se sa mbërthyes dhe i bezdisshëm mund të jetë ky. Edhe Kethrin, duke e ditur këtë, do ta rrethojë të voglin e saj me sa më shumë normalitet të mundshëm.

Shumë është shkruar, se si foshnja e Kembrixhit do të jetë i pari, që do të rritet nga shtresa e mesme, vlera që i ka të mishëruara edhe Kejt. Dhe, nëna e saj do të jetë gjyshja e vetme për të.

Pra, çfarë do të sjellë e ardhmja për beben e Kembrixhit? Një jetë e tërë në kuriozitetin e publikut dhe në fund përgjegjësia për ta rifreskuar dhe për ta çuar përpara institucionin e lashtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA