Dhjetë persona kanë mbetur me plagë të lehta, pasi rrota e parë e një aeroplani u dëmtua sapo ai u ul në aeroportin “La Guardia” të New York-ut, bënë të ditur zyrtarët.
Gjashtë prej të lënduarve janë dërguar menjëherë në spital, pasi “Fluturimi 345” i Southwest Airlines rrëshqiti jashtë pistës, bëri të ditur menaxheri i përgjithshëm i aeroportit, Tom Bosco.
Mjetet e emergjencës rrethuan menjëherë “Boeing 737” nga Nashville, i cili kishte në bord 143 pasagjerë dhe 6 anëtarë ekuipazhi. Aeroporti u mbyll përkohësisht, por më pas rifilloi punën normalisht.
Në një konferencë për shtyp, në mbrëmje, Bosco tha se rrota e parë e aeroplanit kishte pësuar difekt në momentin e uljes në pistën numër 4, rreth orës 22:45 (17:45 lokale) të së hënës.
Ai tha se aeroplani rrëshqiti nga pjesa e përparme, përpara se të “parkohej” në një pjesë toke me bar, në gjysmë të pistës.
“Jemi duke vlerësuar dëmtimet fizike të pistës, të shkaktuara prej këtij incidenti, dhe shpresojmë që çdo gjë të jetë në rregull mëngjesin e së martës”, tha Bosco.
Pasagjerët u dërguan në terminalin kryesor, për t’u bashkuar me familjarët e tyre, ndërsa Administrata Federale e Aviacionit njoftoi se ka nisur hetimet për këtë ngjarje.
Top Channel