
Në Kinë vijojnë operacionet e shpëtimit pas dy tërmeteve të fuqishme që tronditën e vendin e që lanë 89 persona të vdekur.
Tërmetet goditën provincën Gansu ditën e hënë, ndërsa shumica e viktimave u regjistrua në qytetin Dingksi. Mbi 800 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Dy helikopterë dhe rreth 3 mijë ushtarë, policë dhe anëtarë të ekipeve të emergjencës janë vendosur në zonat e dëmtuara, raportojnë agjencitë kineze të lajmeve.
Mijëra ndërtesa u shembën dhe shumë të tjera u dëmtuan nga lëkundjet sizmike me fuqi 5.9 dhe 5.6 të shkallës Rihter. Mbi 9 mijë shtëpi u shembën në Dingksi, bënë me dije autoritetet lokale pas disa llogarive.
Skuadrat e shpëtimit po gërmojnë në rrënoja për të nxjerrë trupat e viktimave dhe të mbijetuarit e mundshëm, ndërkohë që probleme u kanë hapur edhe rrëshqitjet e tokës të shkaktuara nga tërmetet.
Autoritetet deklarojnë se duke parë dëmet e shkaktuara nga dy katastrofat, tërmetet dhe rrëshqitja e tokës, ka pak gjasa që të gjenden të mbijetuar.
Deri në pasditen e së hënës, rajoni përjetoi 422 lëkundje sizmike që pasuan dy tërmetet, njëra prej të cilave më e madhe se 5 ballë e shkallës Rihter.
Top Channel