Numri një i ushtrisë amerikane ka bërë një ekspoze të kostos, rreziqeve dhe përfitimeve për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Siri, për të zgjidhur konfliktin që po përgjak vendin.
Shefi i Shtabit, gjenerali Martin Dempsey ofroi pesë opsione, duke përfshirë sulme të kufizuara dhe vendosjen e një zone ndalim-fluturimi.
Por ai tha gjithashtu se përdorimi i forcës në Siri duhet të jetë “jo më pak se një akt lufte” dhe se mund t’i kushtojë Shteteve të Bashkuara miliarda dollarë.
Uashingtoni deri më sot e ka përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Siri. Roli i tij në konflikt është i kufizuar në ndarjen e ndihmave humanitare tek refugjatët sirianë të strehuar në vendet fqinje dhe në dhënien e ndihmave jo-ushtarake për opozitën.
Në një letër të hapur drejtuar senatorëve, gjenerali Dempsey analizon pesë opsionet që ushtria amerikane mund të ndërmarrë në Siri:
1) Stërvitja, këshillimi dhe asistimi i opozitës
2) Organizimi i sulmeve të kufizuara
3) Vendosja e një zone ndalim-fluturimi
4) Krijimi i zonave të amortizuara brenda Sirisë
5) Kontrolli i Damaskut për armë kimike
Gjenerali Dempsey vlerëson se opsioni i parë do t’i kushtojë Shteteve të Bashkuara 500 milionë dollarë në vit, ndërsa çdo opsion tjetër mund të kërkojë 1 miliard dollarë në muaj secili.
“Vendimi për të përdorur forcën nuk është diçka që mund ta marrim kollaj. Nuk mund të jetë më pak se një akt lufte”, shkruan oficeri i lartë ushtarak në letrën e tij.
Gjenerali bën gjithashtu me dije se planifikimi i sulmeve do të përforconte pozitën e opozitës dhe do të shtonte presionin mbi presidentin Bashar al Assad.
Por ai gjithashtu paralajmëron se Shtetet e Bashkuara se duhet të mësojnë nga ndërhyrjet e mëparshme si në Afganistan dhe Irak.
Top Channel