
Nëntë persona raportohen të vdekur nga përleshjet e një nate më parë mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit të rrëzuar nga ushtria, Mohamed Morsi.
Pjesa më e madhe e viktimave u regjistrua pranë Universitetit të Kajros, ku mbështetësit e presidentit Morsi kishin organizuar një protestë të ulur në shesh. Protestuesit akuzuan ushtrinë se ka qëlluar me snajpera nga catitë e ndërtesave ngjitur.
Të martën familja e presidentit të rrëzuar akuzoi ushtrinë se po e mban peng atë, pa ngritur asnjë akuzë kundër tij. Vendndodhja e ish-presidentit mbetet ende sekret, që prej 3 korrikut, kur Shefi i Shtabit të ushtrisë egjiptiane, Gjenerali Abdula Fattah al-Sisi njoftoi rrëzimin e tij.
Që prej këtij vendimi, mbështetësit e Morsit kanë zhvilluar protesta në Kajro dhe qytete të tjera të vendit, thuajse cdo ditë. Të paktën 100 persona mendohet se kanë gjetur vdekjen gjatë trazirave të fundit.
Presidenti në detyrë Adly Mansour ripërsëriti thirrjet për qetësi dhe dialog. “Ne dëshirojmë një faqe të re për kombin tonë, pa trazira, pa urrejte dhe pa përleshje”, tha ai në një deklaratë transmetuar nga televizioni shtetëror.
Mansour ka ngarkuar një grup ekspertësh për amendimin e kushtetutës së përkohëshme të vendit që do të qendrojë në fuqi deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në fillim të 2014-ës.
Por “Vëllazëria Muslimane” ka rrëzuar cdo ftesë për dialog deri në momentin kur ushtria të rikthejë në pushtet presidentin Morsi, Dhomën e Lartë të parlamentit të shpërndarë dhe Kushtetutën e vjetër.
Top Channel