
Protagonisti absolut i politikës italiane në 20 vitet e fundit, Silvio Berlusconi synon të rikthehet edhe njëherë tjetër, dhe sërish duke ndjekur rrugën e përshkuar 20 vite më parë.
Ish-kryeministri njoftoi nëpërmjet rrjeteve sociale “rikthimin” e Forza Italia, lëvizjen politike që Kavaljeri formoi janarin e 1994-ës dhe që e transformoi në “Popullin e Lirisë” në mars të 2009-ës.
Berlusconi thotë se këto ndryshime do të ndodhin në shtator. Ai shkruan se shpreson që nisma “Forza Italia 2” të bashkojë italianët, sidomos të rinjtë e talentuar dhe me pasion që kërkojnë një të ardhme më të mirë për vendin e tyre.
Publikimi në Facebook është shoqëruar nga mijëra pëlqime nga mbështetësit e ish-kryeministrit, por tek komentet nuk kanë munguar kritikat sa i përket apelit dhe ftesës së dërguar të rinjve, nga një lider, tashmë drejt të 80-ave.
Nga mediat italiane, nisma e re e Berlusconi-t shihet si përpjekje për të rritur popullaritetin e tij, të rrëzuar vitet e fundit falë skandaleve të njëpasnjëshme, por edhe gjendjes aspak të mirë ekonomike të vendit, për të cilën një pjesë e madhe e italianëve fajësojnë më shumë atë.
Top Channel