Dy tërmete të fuqishme goditën provincën Gansu, në veri-perëndim të Kinës, duke vrarë të paktën 54 vetë, ndërsa të plagosurit janë mbi 300.
Lëkundjet e para të tokës, të një magnitude prej gati 6 ballësh të shkallës Rihter, u regjistruan pranë lokalitetit Dingxi, në një thellësi prej vetëm 9.8 kilometrash nën tokë.
Pas një ore, një tjetër tërmet, pothuajse i së njëjtës fuqi me të parin, tronditi po këtë zonë, raporton agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua”.
Kina i ka ende të freskëta kujtimet e tërmetit të tmerrshëm të 2008-s në provincën e Siçuanit, që mori 90.000 jetë njerëzish e la miliona të tjerë pa një kulm mbi krye.
Ai ishte tërmeti më i fuqishëm në vend që prej Tangshanit në 1976-n, i cili vrau 240.000 vetë dhe që konsiderohet më vdekjeprurësi deri tani për shekullin XXI.
Pas dy goditjeve të para, zona përreth lokalitetit Dingxi pësoi edhe 371 luhatje të tjera më të lehta toke. Sipas autoriteteve lokale, shtëpitë e dëmtuara janë të paktën 5.600, ndërsa 380 të tjera janë shembur krejtësisht.
Në një pjesë të mirë të rajonit ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe komunikimit. Humbjet e shkaktuara ekonomike llogariten në 198 milionë juanë, apo 32 milionë dollarë.
Top Channel