Një qytet strategjik në afërsi të qytetit verior të Alepos, në Siri, ka rënë në duart e kryengritësve, raporton grupi aktivist me bazë në Londër:
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Kahn al Asal konsiderohej si bastioni i fundit i regjimit të Assad në perëndim të provincës së Alepos.
Fitorja e rebelëve vjen pas një seri disfatash të forcave të armatosura siriane. Qyteti shtrihet në një rrugë që lidh provincën me qytetin e Alepos.
Ndërkohë, luftimet në Alepo vazhdojnë me të dyja palët që përpiqen të marrin nën kontroll qytetin, që nga aspekti ekonomik është më i rëndësishmi në Siri.
Një grup rebel i vetëquajtur Divizioni i Nëntë njoftoi se kishte marrë në zotërim Khan al Asal përmes një videoje të postuar online në Youtube.
“Ne, lidershipi i Divizionit të Nëntë, njoftojmë se qyteti është çliruar tërësisht”, deklaroi një komandant i rebelëve në video.
Khal al Asal ishte në qendër të dyshimeve që shpërthyen në muajin mars mbi përdorimin e armëve kimike, me të dyja palët që fajësonin njëra-tjetrën për një sulm që la 30 të vdekur.
Në atë kohë rebelët kishin ndërmarrë një ofensivë madhore për të marrë nën kontroll qytetin, por që u detyruan të tërhiqen pasi humbën 200 luftëtarë në 8 ditë betejë.
Top Channel