Hezbollah, në listën e zezë të BE

22/07/2013 17:05

Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë rënë dakord për ta futur krahun ushtarak të grupit shiit libanez Hezbollah në listën e organizatave terroriste.

Kjo lëvizje kërkonte akordimin e të 28 vendeve anëtare të Unionit. Tani do të jetë joligjore për simpatizantët e Hezbollahut në Evropë për t’i dërguar para grupit, si dhe për diplomatët që të takojnë stafin e tij.

Disa vende anëtare shprehën shqetësimin për këtë masë, pasi mund të çojë në destabilizimin e mëtejshëm të situatës në Liban.

Korrespondenti i BBC në Bruksel deklaron se disa shtete argumentuan se do të jetë i vështirë dallimi mes krahut ushtarak dhe atij politik të grupit.

Hezbollah ka një organizatë të plotfuqishme politike që bashkë me aleatët e saj dominoi kabinetin e fundit qeveritar libanez, që u tërhoq në muajin mars.

Zyrtarët e BE kishin propozuar një kompromis për të bindur anëtarët skeptikë, përmes një deklarate të tipit: “Blloku duhet të vazhdojë dialogun me të gjitha palët politike në Liban”.

Ditën e premte qeveria libaneze i bëri thirrje Brukselit që të mos ndërmarrë veprime kundër Hezbollahut, duke e cilësuar grupin militant si një “përbërës jetik të shoqërisë libaneze”.

Por përfshirja e grupit në luftën në Siri, në mbështetje të presidentit Bashar al Assad, ka bërë që Unioni të ndryshojë mendje, raporton më tej korrespondenti i BBC.

Irak, mbi 30 të vdekur nga sulmet në burgje

Numri i viktimave nga sulmet në dy burgje të Irakut një ditë më parë ka arritur në 37, kryesisht ushtarë e policë. Shënjestra e personave të armatosur ishin burgu i Taxhit, në veri të Bagdadit, dhe Abu Graibi, në perëndim të kryeqytetit iraken.

Situata U rëndua që të djelën në mbarë vendin. Nje kamikaz vrau të paktën 12 vetë në qytetin e Mosulit kur e çoi makinën e tij të mbushur me eksploziv drejt një autokolone të ushtrisë.

Nuk dihet kush qëndron pas kësaj vale të re dhune që ka përfshirë Irakun. Që nga fillimi i muajit të shenjtë të Ramazanit, në rang kombëtar janë vrarë më shumë se 200 vetë, ndërsa bilanci i vdekjeve që nga fillimi i prillit është 2.500.

Australi, Rudd mbron politikat e azilit

Kryeministri australian Kevin Rudd e mbrojti politikën e re të azilit në Australi, duke sqaruar se shënjestron ata që ai i quajti “tregtarë të vdekjes”.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar të premten, azilkërkuesit që mbërrijnë në vend nga deti do të dërgohen në Papua Guinea e Re.

Kritikët u hodhën menjëherë në sulm duke thënë se në këtë mënyrë Australia po i bën bisht detyrimeve të veta dhe problemet po ia transferon një vendi në zhvillim.

Për kryeministrin Rudd, që muajin e kaluar përmbysi Julia Gillard nga posti i kryetares së Partisë Laburiste, ngërçi i krijuar nga shtimi i varkave me klandestinë nuk mund të zgjidhjet përveçse me një politikë të vijës së ashpër. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA