
Papa Francesku do të zbresë në orën 16:00, me orën lokale, në Rio de Janeiro, në atë që është i pari udhëtim i këtij lloji për Atin e Shenjtë në Ditën Botërore të Rinisë.
Në aeroport Papa do të ketë një takim të shkurtër dhe formal me presidenten e Brazilit, Dilma Rousseff, pas kërkesës së kreut të Selisë së Shenjtë për të shmangur takimet me zyrtarët dhe politikanët e vendit dhe për t’u dhënë përparësi takimeve me njërëzit e thjeshtë.
Pas këtij takimi, Papa Francesku do të hipë në makinën e tij, pa mburojë anti-plumb të qelqtë dhe do të përshkojë disa kilometra nëpër rrugët kryesore të Rios për të përshëndetur qytetarët.
Autoritetet braziliane kanë marrë masa të ekstreme sigurie. Zonat përreth ndërtesës së guvernatorit, ku pritet të mbërrijë Ati i Shenjtë, është izoluar thuajse krejtësisht, ndërsa grupe të shumta kanë bërë thirrje për protesta.
“Anonymous Rio” nëpërmjet Facebook kanë bërë thirrje për manifestime. Ata thanë se këto manifestime nuk janë kundër Papës apo Kishës Katolike, por kundër korrupsionit dhe shërbimeve publike zhgënjyese në vend.
Brazili është ende i trazuar nga protestat e fundit që arritën pikun gjatë Kupës së Konfederatave. Mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, dolën në rrugët e qyteteve më të mëdha të vendit duke kërkuar luftë kundër korrupsionit, shërbime publike më cilësore dhe më shumë investime nga qeveria.
Ata akuzojnë këtë të fundit se po shpenzon miliarda në ndërtimin e infrastrukturës për zhvillimin e Botërorit 2014 duke lënë menjanë sektorë jetikë si shëndetësinë dhe arsimin.
Top Channel