Paqe Izrael-Palestinë?

21/07/2013 19:00

A mundet Izraeli të bëjë një lëshim, që të ndryshojë kursin e historisë 46-vjeçare me palestinezët?

Agjencia e lajmeve Reuters citoi një zyrtar izraelit, javën e kaluar, i cili tha se izraelitët ranë dakord me planin për bisedimet e paqes, të mbështetur në kufijtë para 1967-s dhe shkëmbimin e territoreve.

Është diçka që Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkoi në rezolutën e vitit 1967 dhe, qysh atëherë, ka qenë standardi i artë i aspiratave të zjarrta për paqen në Lindjen e Mesme.

Ai i kërkon Izraelit të tërhiqet tërësisht nga territoret e pushtuara dhe palestinezët të njohin ekzistencën e tij. Aparati i marrëdhënieve publike të Izraelit mohoi raportimet.

Mark Regev, zëdhënësi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, i tha të shtunën CNN-it se “nuk mund të imagjinonte, se cili brenda qeverisë mund të kishte thënë diçka të tillë”.

Por, në të njëjtën ditë, Izraeli deklaroi se do të lirojë në mënyre të njëanshme një numër të burgosurish palestinezë, ky si një xhest i vullnetit të mirë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry kërkoi “të hiqet dorë nga supozimet”. Sipas tij, “çdo spekulim apo raportim, që mund të lexoni në media, janë hamendësime, sepse  njerëzit që i njohin faktet nuk flasin për ta”.

Zhvillimet ishin të shpejta dhe i kapën në befasi udhëheqësit palestinezë krah Abaz-it, tha një prej zyrtarëve palestinezë, që kërkoi ruajtjen e identitetit.

Mustafa Barguti, një deputet palestinez, tha se bisedimet do të dështojnë, siç është ngrirja e vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara.

Të dielën, Netanjahu foli sikur bisedimet e paqes ishin përfundimtare. “Nuk do të jenë të lehta – i tha ai anëtarëve të kabinetit. – Ne do të hyjmë me integritet, sinqeritet dhe me shpresën se ky proces do të kryhet në mënyrë të përgjegjshme”.

Për të kuptuar entuziasmin për lëshimet e përfolura – nëse ekzistojnë si mundësi – duhet të kthehemi në luftën gjashtë ditore të qershorit 1967, kur Egjipti, Siria dhe Jordania vendosën trupat në kufijtë me Izraelin.

Izraeli goditi më 5 qershor, duke vënë në shënjestër zonat ajrore të vendeve arabe dhe duke shkatërruar forcën ajrore egjiptiane në tokë. Egjipti dhe Siria u bënë aleate mes tyre. Izraeli i rrëmbeu territore të dy shteteve dhe i pushtoi.

OKB, përmes rezolutës 242, i kërkoi Izraelit të tërheqë trupat dhe të dorëzojë territoret e pushtuara. Rezoluta u kërkoi të gjitha palëve të përfshira të njihnin ekzistencën e gjithsecilit.

Fillimisht, Izraeli nuk i dorëzoi territoret, as shtetet arabe nuk e njohën. Me kalimin e kohës, gjërat ndryshuan. Izraeli bëri paqe me Egjiptin dhe më pas me Jordaninë. U tërhoq nga Gaza, por ruajti vendbanime në Bregun Perëndimor dhe palestinezët nuk pranuan të njohin shtetin e Izraelit.

Pas dekadash pritjeje, shumë shpresojnë se bisedimet e reja do të sjellin një zgjidhje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA