Kryeministri japonez, Shinzo Abe, ka fituar shumicën në Dhomën e Lartë, sipas sondazheve të para.
Partia e tij Liberal-Demokratike dhe partneri i vogël New Komeito parashikohen të marrin të paktën 71 nga 121 vendet për të cilat po garohet, sipas projektimeve të rrjetit transmetues NHK.
Kjo do t’i jepte atij kontrollin e të dy dhomave të parlamentit, për herë të parë pas 6 vjetësh. Abe tha se rezultati i pritshëm ishte një miratim i reformave ekonomike të tij, teksa ai synon t’i japë fund stanjacionit afatgjatë.
E megjithatë, rezultatet zyrtare nuk priten të dalin përpara së hënës.
Gjithsesi, sondazhet e para tregojnë se koalicioni i Abe-s mund të kontrollojë 130 karrige nga 242 gjithsej, në Dhomën e Lartë. Gjysma e tyre ka qenë e hapur për garim në zgjedhjet e së dielës.
Rezultati shihet si një votëbesim për zotin Abe. Tashmë ai pritet të ketë pushtetin dhe fuqinë, por çështja është nëse ai do të ketë edhe dëshirën, për t’i dhënë fund problemeve ekonomike në vend.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë më e ulët se sa në po të njëjtat zgjedhje të vitit 2010.
Top Channel