
Mbreti i Bëlgjikës Alberti II abdikoi fronin për t’ia lënë të birit, Princit të Kurorës, Filip.
Në fjalimin e fundit drejtuar kombit, monarku 79-vjeçar tha se vendi i tij duhet të mbetet një “burim frymëzimi” për Europën. Në ceremoninë, që u zhvillua në pallatin mbretëror në Belgjikë, Alberti iu drejtua të birit: “Ke të gjitha aftësitë emocionale dhe intelektuale për t’i shërbyer më së miri vendit tënd”.
Ai falënderoi të shoqen Paola për mbështetjen, si dhe kryeministrin Elio di Rupo për shërbimin ndaj vendit. Alberti përqafoi të birin dhe nënshkroi dokumentin e abdikimit, duke i dhënë kësisoj fund mbretërimit të tij.
Filipi u betua përpara politikanëve në ndërtesën e parlamentit. Një prej detyrave të tij është të zgjidhë krizën kushtetuese në vend.
Mbreti Albert ushtroi autoritetin e tij për të ndërmjetësuar mes forcave politike për formimin e një qeverie, gjatë viteve 2010-2011, kur Belgjika kishte 541 ditë pa një qeveri, sepse zgjedhjet nuk prodhuan një fitues të qartë.
Të shtunën, ai përsëriti dëshirën e tij që Belgjika, e ndarë në veriun flamandë-folës dhe jugut francez, të mbetet e bashkuar.
“Me emocion të madh iu drejtohem për herë të fundit si Mbret. Gjatë 20 viteve, madje edhe gjatë këtyre ditëve të fundit, më keni inkurajuar në ushtrimin e funksionit tim, me mbështetjen tuaj. Ju falënderoj nga zemra. Jam i bindur se ruajtja e kohezionit të Shtetit Federal është themelore, jo vetëm për të jetuar bashkë në paqe, përmes dialogut, por për të ruajtur mirëqenien e të gjithëve”, u shpreh Alberti II.
Në fillim të muajit, Mbreti Albert tha se nuk ndihej në gjendje të mirë shëndetësore për të vazhduar detyrën. Largimi, pas mbajtjes së kurorës për 20 vjet, përkon me ditën kombëtare të Belgjikës.
Filipi, i arsimuar në Oksford dhe Stenford, si pilot i forcave ajrore, do të jetë Mbreti i Shtatë i Belgjikës, vend që ka një monarki kushtetuese, ku mbreti ka një rol gjerësisht simbolik.
Abdikimi i Mbretit Albert vjen tre muaj, pasi Mbretëresha Beatris e Holandës vendosi t’ia lërë fronin djalit të saj, Vilhelm Aleksandër.
Top Channel