
Një gjykatë në Itali ka dënuar pesë persona për keqmenaxhim, në lidhje me aksidentin e anijes turistike Costa Concordia, në ishullin e Xhilios në janar 2012, ku humbën jetën 32 persona.
Dy oficerë, timonieri, shefi i shërbimit të kabinës dhe drejtuesi i ekipit të krizave kanë marrë dënime deri në 2 vjet e 10 muaj burg për keqmenaxhim të situatës, neglizhencë dhe për mbytjen e anijes.
Ata kishin bërë një marrëveshje për të pranuar fajin me palën e akuzës dhe mund ta shmangin burgimin. Ndërkohë, kapiteni i anijes turistike, Francesco Schettino po gjykohet veç kolegëve të tij.
Ai akuzohet për keqmenaxhim me pasojë aksidentin e mjetit lundrues dhe braktisjen e tij kur në bord ndodheshin ende mijëra pasagjerë. Procesi ndaj tij do të rifillojë më 23 shtator dhe kërkesa e tij për një marrëveshje është refuzuar nga prokurorët.
Të pandehurit e sotëm morën dënime që varionin nga 18 muaj në dy vjet e 10 muaj burg, me trupin gjykues që pranoi marrëveshjen me qëllim shmangien e zgjatjes së procesit.
Dënimi më i rëndë ka qenë për Roberto Ferranini, që kishte dalë në breg kur incidenti ndodhi dhe ishte i ngarkuari me detyrën për koordinimin e anijes turistike në momente krizash.
Gjasat janë që asnjë prej pesë të pandehurve të mos shkojë në burg, pasi dënimet nën dy vjet në Itali mund të pezullohen, ndërsa ato mbi 2 vjet mund të apelohen ose të zëvendësohen me shërbime ndaj komunitetit.
Top Channel