
Një gjykatë në Indi ka dënuar me burgim të përjetshëm gjashtë persona, të akuzuar për dhunimin në grup të një turisteje zvicerane në mars të këtij viti.
Gruaja 39-vjeçare dhe bashkëshorti i saj u sulmuan teksa kishin ngritur një çadër kampingu në një pyll në shtetin Madhja Pradesh, në qendër të Indisë.
Agresorët, të moshave nga 22 deri në 30 vjeç, ishin të gjithë nga një fshat që ndodhej pranë kampingut të turistëve.
Sulmi ndodhi disa muaj pasi një grua 23-vjeçare indiane vdiq si pasojë e një dhunimi agresiv në një autobus në Nju Delhi, ngjarje kjo që shkaktoi protesta në mbarë vendin.
Disa ditë pas dhunimit të turistes zvicerane, menjëherë në vendin aziatik u miratuan ndryshime në ligj, duke përfshirë dënime më të rënda për dhunuesit, përfshirë atë me vdekje.
“Të gjithë të akuzuarit janë dënuar dhe ne jemi të kënaqur me gjykimin”, deklaroi të shtunën prokurori Rajendra Tiwari, i cituar nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.
Çifti zviceran po zhvillonte një tur të gjatë me biçikletë dhe ishte drejtuar për në lokalitetin Taxh Mahal, në Uttar Pradesh, kur u sulmua dhe u grabit në një zonë të dendur pyjore në rajonin e Datias më 15 mars.
Pesë nga të dyshuarit u arrestuan dhe u paraqitën nga autoritetet përpara mediave menjëherë pas ngjarjes, ndërsa personi i gjashtë u arrestua pak kohë më vonë.
Top Channel