Beyonce dhe Jay Z në tubimin për Martin

20/07/2013 00:00

Një nga çiftet më të famshme të botës së showbizit, Jay Z dhe Beyonce iu bashkuan tubimit të organizuar në Nju Jork në kujtim të 17-vjeçarit të vrarë në Florida, Trayvon Martin dhe asaj që konsiderohet drejtësi e munguar.

Dy yjet e muzikës ia shtuan zërin e tyre protestave të organizuara në mbarë vendin, në shenjë zemërimi ndaj shfajësimit të 29-vjeçarit George Zimmerman, njeriu që qëlloi dhe vrau adoleshentin e paarmatosur afro-amerikan.

Tubimet në Nju Jork dhe Majemi u kryesuan nga të afërm të Martinit dhe ishin nismë e aktivistit veteran të të drejtave civile, at Al Sharpton. Sharpton thotë se protesta masive janë planifikuar të zhvillohen në më shumë se 100 qytete në pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Organizatorët e kanë bërë të qartë se shpresojnë që mitingjet do të jenë paqësore dhe se nuk do të ketë më shpërthime dhune si ato që çuan në përplasje me policinë e arrestime në Los Anxheles dhe San Francisko në fillim të javës.

Shpresat e tyre janë që presionet e vazhdueshme publike do ta detyrojnë Departamentin e Drejtësisë të nisë një proçedim ndaj 29-vjeçarit për shkelje të të drejtave të njeriut.

Vrasja e adoleshentit me ngjyrë i ka bërë shumë amerikanë të besojnë se motivi i saj ishte racizmi, ndërsa interneti është mbushur me fyerje për Zimmerman dhe gjykatësin e çështjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA