Presidenti amerikan, Barak Obama, reagon për herë të parë, pas shpalljes së dënimit për vrasësin e 17-vjeçarit afro-amerikan, Trejvën Martin, që u ekzekutua në Florida, në shkurt të vitit 2012.
“Trejvën Martin mund të kisha qenë unë, 35 vjet më parë”, – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë. Sipas tij, “mund të kenë qenë të paktë njerëzit me ngjyrë, që nuk janë përballur me portretizime racore”.
Ai tregoi eksperiencën personale, se si ishte ndjekur dikur në një qendër tregtare. 17-vjeçari Trejvën Martin, i paarmatosur, u qëllua nga 29-vjeçari George Zimerman, për vetëmbrojtje.
Zimermani u la i lirë nga gjykata e Floridës, javën e kaluar, dhe kjo ndezi indinjatë dhe protesta.
Negociatat e paqes
Marrëveshje e re mes izraelitëve dhe palestinezëve
Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, tha se izraelitët dhe palestinezët kanë arritur një marrëveshje, baza për rinisjen e negociatave të paqes.
Ai foli në Jordani, pas takimit me përfaqësuesit e të dy palëve. Kryediplomati amerikan nuk dha detaje për marrëveshjen, por tha se të dy palët do të zhvillojnë bisedime paraprake, javën e ardhshme në Uashington.
“Është një hap i rëndësishëm përpara dhe i mirëpritur, por – nënvizoi ai – është në proces për t’u formalizuar”.
Raundi i fundit i bisedimeve të drejtpërdrejta, mes izraelitëve dhe palestinezëve, përfundoi dy vjet më parë dhe shkaku ishte ndërtimi i vendbanimeve izraelite.
Protestat ne egjipt nuk ndalen
Mbeshtetesit e ish presidentit Mursi serish ne shesh
Mbështetësit e ish-presidentit, Mohamed Mursi, zhvilluan protesta masive në të gjithë vendin.
Në Kajro, xhamia Rabaa Al Adauija ishte qendra e grumbullimit të dhjetra mijëra njerëzve. Ndërsa përkrahësit e ushtrisë u mblodhën në sheshin Tahrir, për të zhvilluar një tjetër protestë, por ata ishin të paktë në numër.
Komisionerja e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillai, u ka kërkuar udhëheqësve të Egjiptit të shpjegojnë, përse u arrestua Mohamed Mursi, dhe kur do të zhvillohet gjyqi kundër tij.
Gjithashtu, ajo kërkon më shumë informacion për ngjarjet jashtë kazermave të Gardës, më 8 korrik, ku humbën jetën 50 persona.
Top Channel