
Shtetet e Bashkuara u shprehën të zhgënjyer për dënimin me pesë vjet burg të Alexey Navalny-t, avokatit dhe aktivistit të njohur kundër korrupsionit në Rusi, ndërsa për Bashkimin Europian “vendimi ngre shumë pikëpyetje serioze për ligjin”.
Akuza kundër tij është: “përvetësim”. Bëhet fjalë për 16 milionë rubla, apo 500 mijë dollarë lëndë drusore, të përfituara nga kompania shtetërore “Kirovlec”, në vitin 2009, kur Alexei Navalny punonte si këshilltar i guvernatorit të Kirovit.
37-vjeçari Navalny hodhi poshtë akuzat, duke thënë se gjyqi është i motivuar politikisht. “Amnesty International” e cilësoi verdiktin “një parodi”.
Alexei Navalny ishte në krye të fushatës kundër partisë “Rusia e Bashkuara” e presidentit rus, Vladimir Putin, duke e quajtur një grupim hajdutësh. Kurrë nuk mungonin akuzat për korrupsionin në Rusi.
Përpara se atij t’i viheshin prangat dhe të linte sallën e gjyqit, Navalny u kërkoi mbështetësve të vazhdojnë betejën në rrjetin social Tëitter: “Bëni diçka, mos rrini!”.
Ai kishte regjistruar kandidaturën për të marrë postin e kryebashkiakut të Moskës, por ekipi i tij – pas vendimit – tha se u tërhoq nga gara. Ai u bëri thirrje përkrahësve të bojkotojnë procesin.
Navalny mbërriti në sallën e gjyqit, në Kirov, për të dëgjuar vendimin, pas një udhëtimi prej 12 orësh me tren, nga Moska.
Ai vuri buzën në gaz, kur u dha vendimi. E shoqja, Julia Navanaja, shpjegoi se i shoqi ishte i vetëdijshëm, që do të dënohej, dhe se ishte i përgatitur mendërisht për të shkuar në burg.
Megjithëse gjykata lejoi transmetimin e drejtpërdrejtë të gjyqit, televizioni shtetëror e raportoi pak, ndërsa u ndoq masivisht në rrjetet sociale.
Navalny u bë i njohur si frymëzuesi i protestave masive kundër Kremlinit dhe presidentit Putin, në vitin 2011.
Të shumta ishin dhe reagimit në Rusi. Aktivisti anti-Putin, dikur pjesë e strukturës shtetërore “Boris Nemtsov”, u tha gazetarëve se gjyqi ishte tërësisht i fabrikuar nga fillimi në fund.
Ish-bosi i Jukosit, që ndodhet aktualisht në burg, Mikail Kodorkovski, tha se “dënimi ishte i parashikueshëm dhe i pashmangshëm”. Ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Mikail Gorbaciev, tha se “të shfrytëzosh gjykatat për të dënuar kundërshtarët politik është e papranueshme”.
Kremlini mohoi që Putin i përdor gjykatat dhe gjykatësit hodhën poshtë pretendimin e Navalny-t, se “gjyqi ishte i motivuar politikisht”.
Top Channel