
Një gjyqtar ushtarak ka refuzuar të heqë dorë nga akuza më e rëndë ndaj Bradley Manning, ushtari që dyshohet se i ka kaluar mijëra dokumente sekrete Wikileaks.
Avokatët e ushtarit 25-vjeçar deklaruan se nuk ka prova që ai ka ndihmuar armikun, një akuzë kjo që mund t’i sjellë dënimin me burgim të përjetshëm.
Por prokurorët kanë argumentuar se ai “ka kaluar sistematikisht” dokumente tek armiqtë, përfshirë tek ish-kreu i Al Kaedës, Osama bin Laden.
Çështja, në të cilën përfshihen 700 mijë dokumente, konsiderohet si rrjedhja më e madhe e dokumenteve sekrete të qeverisë amerikane.
“Ushtari Manning ishte i njohur për kalimin e informacioneve tek armiku”, deklaroi kolonelja Denise Lind, gjyqtare e çështjes që po mbahet në bazën ushtarake Fort Meade, në Merilend.
Vendimi i gjykatës nuk e përjashton mundësinë që burimi i informacioneve të Julian Assange të çlirohet nga të gjitha akuzat.
I pandehuri, që e ndoqi seancën nga afër, nuk reagoi ndaj vendimit të trupit gjykues për të mos hequr dorë nga akuza e rëndë.
Në seancat e mëhershme, ai është vetëdeklaruar fajtor vetëm për 10 nga mbi 20 akuza me të cilat përballet në këtë proces të bujshëm.
Top Channel