
Autoritetet e Panamasë kanë publikuar të enjten akuzat ndaj ekuipazhit të anijes kubaneze që vinte nga Korea e Veriut, duke transportuar armë luftarake.
Prokurori Javier Caraballo akuzoi 35 marinarët për venien në rrezik të sigurisë publike të Panamasë dhe për transport ilegal të materialeve luftarake.
Akuzat vijnë vetëm pak orë pasi Korea e Veriut i bëri thirrje qeverisë panameze që të lirojë anijen dhe ekuipazhin e saj pa u vonuar.
Policia gjeti armët të fshehura poshtë thasëve me sheqer kubanez. Kuba nga ana e saj ka deklaruar se i kishte dërguar armët në Korenë e Veriut për riparim.
Një ditë më parë, Panamaja i kërkoi Kombeve të Bashkuara që të hetojnë nëse ka pasur ndonjë shkelje të sanksioneve ndaj Koresë së Veriut.
Sanksionet e OKB-së ndalojnë furnizimin me armë të Penianit për shkak të programit bërthamor të regjimit komunist aziatik.
“Sipas deklaratës, anija mbante vetëm 10 mijë tonelata sheqer dhe nuk transportonte material luftarak, gjë që përbën një shkelje të rregullave dhe një rrezik maksimal për kalimin tranzit në kanalin e Panamasë”, deklaroi prokurori Caraballo.
Ai tha se anëtarët e ekuipazhit qëndruan të heshtur kur iu lexuan akuzat në sallën e gjyqit. Ata do të qëndrojnë në gjendje burgimi ndërsa forcat panameze të sigurisë do të vazhdojnë shkarkimin e ngarkesës së armëve që ishin fshehur poshtë thasëve të sheqerit.
Top Channel