Marrëveshja me FMN, PS: Duhet tjetër status

18/07/2013 00:00

Deputeti socialist, njëherësh koordinator i hartimit te programit
qeverisës të koalicionit fitues të 23 qershorit, Ilir Beqja thotë se në
kushtet e një situate me tregues të përkeqësuar makro-ekonomik, vendit i
duhet një marrëveshje më e ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Por kjo marrëveshje nuk mund të jetë e njëjtë me atë të vitit 2005, pasi Shqipëria tashmë ka dalë nga lista e vendeve me të ardhura të ulëta.

‘Marrëveshja e mëparshme ka qenë në kontekstin kur Shqipëria ishte vend me të ardhura të ulëta. Përtej rolit këshillues ekzistues, sigurisht ne do të ndërtojmë një marrëveshje më të ngushtë me FMN-në, sepse një marrëveshje me ngushtë do ta rrisë kredibilitetin e Shqipërisë në sytë e tregjeve financiare dhe investitorëve të huaj dhe për më tepër bashkë me një marrëveshje të FMN-së jemi të vetëdijshëm që raitingu që do t’i bëjnë agjencitë do jetë më profesional dhe më i qëndrueshëm”, tha Ilir Beqja, deputet socialist.

Sipas deputetit Beqja, ndihma e FMN-së, edhe me mbështetje të drejtpërdrejtë financiare është e domosdoshme në fazën që po kalon vendi.

“Situata makro-ekonomike është shumë delikate, kemi informacione jo krejtësisht të plota, të pjesshme, analiza të tërthorta. Jemi te vendosur te bejme fillimisht një audit të plotë të gjithçkaje zotëron vendi, brenda financave publike dhe pertej tyre dhe gjykojmë që ndihma e një institucioni të rëndësishëm si FMN, edhe me mbështetje të drejtpërdrejtë financiare është e domosdoshme ne fazen qe eshte vendi”, tha Beqja.

Por për deputetin e zgjedhur të koalicionit të djathtë, Dashamir Shehi, me limitet që vendos FMN një marrëveshje shumë strikte, siç shprehet ai, do të tkurrë hapësirat për një politikë financiare liberale siç ka nevojë Shqipëria.   

“FMN do kerkoje te ulet borxhi, Shqipëria ka nevoje te kaloje tavanin e borxhit 70-75 % qe te kete mundesi te beje investime, disa reforma në ekonominë shqiptare, të pompojë nëpër kanalet ekonomike. Me FMN-në nëpër këmbë, nese marreveshja nuk eshte e studiuar mirë, do të jetë e vështirë”, tha Shehi.

Top Channel