
E ëma e Trayvon Martin ka shprehur tronditjen dhe “neverinë” e saj ndaj vendimit të gjykatës që shfajësoi nga akuzat rojen e sigurisë që i vrau të birin.
Sybrina Fulton dha intervistën e parë televizive që nga dhënia e vendimit, përkrah bashkëshortit të saj Tracy Martin. “Nuk më besohet që ai ishte i pafajshëm”, tha zonja Fulton për programin e televizionit ABC, “Good Morning America”.
George Zimmerman, 29 vjeç, deklaroi se kishte hapur zjarr për vetëmbrojtje ndaj 17-vjeçarit në Senford të Floridës, në shkurt të vitit 2012.
Vendimi i dhënë më herët gjatë muajit nga një juri e përbërë tërësisht nga femra shkaktoi protesta në mbarë Shtetet e Bashkuara, me manifestime të tjera të paralajmëruara për këtë fundjavë.
“Si prind, duke parë mënyrën se si e morën vendimin, unë nuk do të arrij kurrë ta kuptoj konceptin e tyre”, deklaroi zoti Martin, babai i Trayvon.
“Ne vazhdojmë të lutemi që ato gra të kenë shprehur atë që kanë ndjerë në zemër. Por ne nuk mendojmë se ai vendim ishte i drejtë, përkundrazi ishte shkatërrues”, shtoi zoti Martin.
Gjatë intervistës televizive bashkëshortët e adoleshentit të vrarë përsëritën apelin e tyre për një rishikim të ligjeve mbi të cilat është bazuar kjo çështje.
Më herët, Departamenti amerikan i Drejtësisë deklaroi se do të rifillojë hetimin për të verifikuar nëse të drejtat civile të Trayvon Martin ishin shkelur gjatë konfrontimit të tij me agjentin e sigurisë.
Që të drejtat në fjalë të konsiderohen të shkelura, duhet të provohet që zoti Zimmerman ishte motivuar nga urrejtja raciale kur përdori armën e tij të shërbimit.
Top Channel