Sulmi ndaj vajzës pakistaneze

17/07/2013 23:50

Një prej krerëve të talebanëve të Pakistanit i kërkoi ndjesë Malala Jusafzait, e cila u plagos në kokë nga talebanët, tetorin e vitit të kaluar, vetëm sepse përpjekjet e saj i vuri në shërbim të arsimimit të vajzave.

Në letrën e tij, Adnan Rashid, megjithëse nuk kishte shkruar fjalën apologji, shprehu keqardhjen, duke thënë se “nuk do të kishte dashur, që sulmi të ndodhte”.

Rashid shkruante se “kishte ndjerë emocione vllazërore ndaj Malalës, sepse të dy i përkasin të njëjtit fis”. Megjithatë, ai refuzoi të dënonte sulmin, duke thënë se gjykimi duhet t’i lihet Zotit.

Ai shpjegonte se “ngjarja nuk ishte kundërpërgjigje kundër fushatës së Malalës për arsimimin e vajzave, por se ajo kishte drejtuar një fushatë përbaltëse kundër talebanëve”.

Duke folur në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, të premten e kaluar kur mbushi 16 vjeç, tha se “librat dhe lapsat i frikësojnë ekstremistët. Ajo apeloi për arsimimin e të gjithëve, përfshirë djemtë dhe vajzat e talebanëve, apo të të gjithë terroristëve”.

Rashid e përfundon letrën e tij, duke i thënë Malalës të kthehet në shtëpi, të përvetësojë kulturën islamike dhe pashtunë, si dhe t’i bashkohet medresës femërore…

“Të përdorësh lapsin tënd – i thotë ai – dhe të bëhesh dëshmitare e komplotit të një elite të vogël, e cila dëshiron të skllavërojë të gjithë njerëzimin”.

Familja e Malalës, përmes një deklarate, tha se ishin në dijeni të letrës, por ajo nuk e kishte marrë atë. Pasi u qëllua nga talebanët, Malala u dërgua për kurim në Britaninë e Madhe.

Ajo jeton aktualisht në Birmingham. Malala, që konsiderohet si një kandidate për të fituar çmimin Nobel për Paqen, e shndërroi çështjen e arsimimit, një çështje botërore. Analistët janë të mendimit se letra e Rashid është përpjekja për të bërë publike në media; kundërpërgjigjen për fjalimin e Malalës në OKB.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA