Një fëmijë turk ka vdekur dhe një tjetër është plagosur rëndë nga një seri të shtënash armësh zjarri, që kanë ardhur nga kufiri sirian. Mahsun Ertugrul, 17 vjeç, vdiq pasi një plumb e qëlloi atë në gjoks në qytetin kufitar të Cejlanpinarit.
Plumbat erdhën nga qyteti verior sirian Ras al Ain, gjatë një beteje mes forcave rebele siriane dhe luftëtarëve kurdë. Nga luftimet raportohet të kenë vdekur të paktën 10 persona.
Së fundmi, përleshje të shumta në territorin sirian janë eksportuar edhe në Turqi. Incidenti i fundit vë në dukje rritjen e shqetësimit se lufta civile në Siri po zgjerohet edhe në shtetet fqinje.
Vdekja e djalit adoleshent shkaktoi indinjim në qytet, ku banorët u përpoqën të ndalonin që një sirian i plagosur që ishte evakuuar në Turqi të dërgohej në spital.
Ndërkohë, një djalë tjetër 15-vjeçar nga i njëjti qytet ndodhet në terapi intensive për shkak se nga e njëjta përleshje një plumb e goditi në kokë.
Një zyrtar nga qyteti turk tha për BBC se Cejanpinari u gjend nën një “shi plumbash” që vinin nga përtej kufirit.
Nënkryetari i bashkisë, Ahmet Ayrilmaz deklaroi se shumë ndërtesa ishin goditur nga plumbat dhe shtoi se disa sirianë të plagosur ishin sjellë në Turqi për mjekim, duke shkaktuar irritimin e vendasve.
Top Channel