
Në komentet e tij të fundit për çështjen ‘Snowden’, presidenti rus
Vladimir Putin tha se marrëdheniet me Shtetet e Bashkuara janë shumë më
të rëndësishme se zënkat mes shërbimeve sekrete.
Shefi i Kremlinit sqaroi se është paralajmëruar ndaj çdo aktiviteti që do të cënonte marrëdhëniet dypalëshe.
Eduard Snowden aplikoi të martën për azil të përkohshëm në Rusi.
30-vjeçari, të cilin Amerika kërkon ta ulë në bankën e të akuzuarve për nxjerrjen e informacioneve shtetërore, ka qëndruar për tre javë në zonën tranzit të aeroportit Sheremetievo të Moskës.
Për shkak të anullimit të pasaportës nga Shtetet e Bashkuara, ai nuk ka mundur të përfitojë nga ofertat për azil të disa vendeve të Amerikës Latine.
Liban, vritet mbështetësi i Assad
Militantët vranë një mbështetës të njohur të presidentit sirian Bashar al Assad në Liban, shenja më e fundit kjo e faktit që konflikti po prek gjithnjë e më shumë fqinjin me të vogël të Sirisë.
Mohammad Darra Jamo, komentator për televizionin sirian por që është shfaqur shpesh herë në kanale të ndryshme televizive arabe, u sulmua nga persona të armatosur të cilet ishin fshehur në shtëpinë e tij, në qytetin jugor të Sarafandit.
Bashkëshortja e 48-vjeçarit, që ndodhej me të gjate sulmit, nuk ka marrë asnjë gërvishjte, raportojnë mediat ndërkombëtare në edicionet e tyre online.
Episodi i dhunës në qytetin me shumicë shiite tregon se grupet anti-Assad mund të godasin shënjestra edhe larg zonave sunite, ku gëzojnë mbështetje të gjerë.
Kore, humbin jetën dy punëtorë kinezë
Dy punëtorë kinezë humbën jetën nga përmbytja e një tuneli në ndërtim në kryeqyetin e Koresë së Jugut, Seul. Dy shtetas të tjerë kinezë dhe tre koreano-jugorë konsiderohen të zhdukur.
Kompania në ngarkim të punimeve është kritikuar ashpër nga familjarët e viktimave që pretendojnë se të afërmit e tyre kanë qenë të ekspozuar ndaj rrezikut.
Drejtuesit e firmës këmbëngulin se i kishin marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë. Punëtoret ishin duke zhvendosur disa tubacione të vjetra, kur tuneli u përmbyt nga ujërat e lumit Han të dalë nga shtrati.
Top Channel