Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas Që prej ditës së dielë, qyteti i Pukës jeton me frikën dhe kujtesën e ngjarjes ku tre persona të armatosur, në përpjekje për grabitje, hapën zjarr në drejtim të një makine, duke plagosur pesë persona, mes tyre dy fëmijë.
Frika ndihet tek të gjithë banorët e qytetit verior, të cilët shprehen se shteti duhet të gjejë sa më shpejtë autorët që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
Rrugët e qytetit boshatisen sapo mbi qytet bie nata. Madje, edhe efektivët e policisë duken më rrallë. Situata bëhet akoma më e frikshme teksa i afrohesh vendit të ngjarjes, ku përveç pishave nuk të ndesh syri asnjë patrullë policie nga Puka e deri në Vaun e Dejës.
Pas ngjarjes së rëndë, edhe automjetet e pakta që qarkullojnë në orët e vona, nga frika nuk pranojnë të ndalojnë qoftë edhe për të treguar me saktësi se ku ndodhet vendi i ngjarjes. Ka dhe nga ata, të cilët nuk hezitojnë të ndalojnë e jashtë kamerave të tregojnë se që prej ditës së dielë, udhëtojnë të armatosur gjatë atij aksi rrugor, nga frika e rishfaqjes se grabitësve.
Por ka dhe nga ata banorë të zonës, që pavarësisht ngjarjes, vijojnë të udhëtojnë në këtë segment në orët e vona, pavarësisht frikës që shprehin, pasi sipas tyre kjo është e vetmja rrugë kalimi për ta.
Sipas banorëve të zonës, gjatë viteve 1997-1998 në këtë aks rrugor janë shënuar një sërë grabitjesh, por asnjëherë në Dushakuq, pasi vendi në fjalë është i papërshtatshëm për t’u larguar e për t’u fshehur.
Dushakuqi, vendi ku u plagosën pesë pjesëtarë të familjeve Xhaferraj dhe Kopani, ndodhet 15 kilometra nga Puka dhe po aq nga Vau i Dejës. Ndërsa, nëse udhëton përmes maleve, mbërrin dhe në fshatrat e Lezhës. E ky fakt sipas policisë, e shtrinë rrezen e kërkimit të autorëve në tre qytete.
Top Channel