
I kërkuari nga autoritetet amerikane me akuzën e spiunazhit, Edward Snowden aplikoi zyrtarisht për azil politik në Rusi.
Autoritetet ruse konfirmuan lajmin duke saktësuar se kërkesa e Snowden është bërë për një azil të përkohshëm, deri në momentin që do t’i jepet mundësia për të udhëtuar drejt një vendi tjetër që do të jetë edhe destinacioni i tij final.
Zyra ruse e emigracionit tha se aplikimi u bë në aeroportin “Sheremetyevo” në Moskë, ku Snowden qendron prej 2-javësh, në pamundësi për të kaluar zonën tranzitore të këtij aeroporti.
29-vjeçari akuzohet nga autoritetet amerikane për publikimin e detajeve sekrete të programeve të përgjimit të agjencive të inteligjencës.
Në kërkesën e tij për azil të përkohshëm në Rusi ai është ndihmuar nga avokati Anatoly Kucherena, që sipas BBC është i njohur në Moskë për lidhjet e tij të forta me Kremlinin.
Kucherena tha për mediat ruse se klienti i tij, argumentoi në kërkesën e tij, se nëse rikthehej në Shtetet e Bashkuara, rrezikon të torturohet, madje edhe të dënohet me vdekje.
Një ditë më parë presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se autoritetet amerikane ia kanë dalë mbanë të mbajnë të bllokuar në aeroportin e Mosks, Edward Snowden.
“Ai erdhi në vendin tonë pa asnjë ftesë. Ne s’ishim destinacioni i tij i fundit, por në momentin që ishte në fluturim, partnerët tanë amerikanë bllokuan të gjithë dokumentacionin e tij. Ata kanë ndikuar tek vendet e tjera dhe tani askush nuk e dëshiron Snowden. Në fakt, ata vetë e bllokuan atë në territorin tonë”, tha Putin.
Putin tha se Snowden do të ishte larguar me mundësinë e parë nga Rusia, nëse do të mund të bënte dicka të tillë.
Presidenti rus refuzoi dorëzimin e Snowden tek autoritetet amerikane, ndërsa deklaroi se ai mund të qendrojë në Rusi, vetëm nëse ndalon së publikuari informacionet sekrete të SHBA. Kreu u Kremlinit tha se ka shenja “për një ndryshim qendrimi të Snowden”, megjithëse dëshira e tij nuk është qendrimi në Rusi, por një tjetër vend.
Top Channel