Ngjarjet në rrugët e Veriut

16/07/2013 00:00

Ngjarjet e rënda të ndodhura ditët e fundit, kryesisht në zonën e veriut të vendit, kanë detyruar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj që të thërrasë në një mbledhje urgjente të gjithë drejtuesit e policive në këto zona.

I pranishëm në këtë takim ka qenë dhe Zv.Drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj.  

Gjatë këtij takimi, Burgaj i kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë efektivëve të policisë që të lihet mënjanë pjesa e periudhës së tranzicionit të dy pushteteve dhe Policia e Shtetit, e mësë shumti drejtuesit e oficerët e saj të harrojnë pushimet dhe lejet në një kohë kur qytetarët kanë më shumë nevojë.

”Me keqardhje vërej që ka një tulatje të Policisë së Shtetit në këtë periudhë. Nuk kuptoj se ku janë arsyet, përse të ndodhë. Një mefshtësi e shfaqur në këtë periudhë është e patolerueshme dhe do të marrë ndëshkimin që meriton, nga drejtuesit e policisë e deri tek efektivët e rolit bazë”, deklaroi Burgaj.

Duke u ndalur tek ngjarjet e ditëve të fundit, ajo e plagosjes së disa shtetasve në Pukë, por edhe goditja me gurë e autobuzëve me turistë kosovarë, Burgaj do të ishte edhe më i rreptë në kërkesën që nuk do të dëgjojë të tilla raste, të cilat përbaltin punën dhe sezonin turistik

”Ngjarja e Pukës është një ngjarje shumë e rëndë, për të cilën kërkoj urgjentisht, në kohën më të shkurtër të mundshme grumbullimin e provave dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të këtij krimi të rëndë”, shtoi Burgaj.
Lidhur me ngjarjen e Pukës, burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për “Top-Channel” se nga verifikimet dhe kontrollet e kryera deri më tani, ka dyshime të forta se autorët të mos jenë banorë të  Pukës apo të zonave përreth.

Dyshohet se ata mund të kenë ardhur në këtë zonë me qëllimin e vëtëm, për të kryer grabitjen.

Gjithashtu, të njëjtat burime bëjnë me dije se hetimet janë fokusuar vetëm në pistën e grabitjes, duke përjashtuar atë të konflikteve personale.

Ndërkaq, gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes janë duke ju nënshtruar analizave balistike, pasi dyshohet se autorët mund të kenë kryer dhe ngjarje të ngjashme në qytete të tjera të Shqipërisë gjatë muajve të fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB